Akademiku Artan Fuga shfaqet sërish kritik ndaj deklaratave të Akademisë së Shkencave për pandeminë e COVID-19, por edhe për studimet e financuara nga buxheti i shtetit.
Në një bisedë me News24, Fuga tha se nuk mund të matematizohet e gjalla. Sipas tij, deklarata për arritjen me 50% të imunitetit të tufës është e gabuar, pasi siç thotë ai Akademia e Shkencave një foto të çastit kërkon ta paraqesë si gjithë tablonë. Por Fuga është kritik dhe për financimin nga buxheti i shtetit për Akademinë e Shkencave për studime që kanë të bëjnë me numrat e të infektuarëve dhe të testuarve. Ai thotë se ky është një menaxhim stalinist i shkencës.
Në Shqipëri janë ngritur sërish ethet për sa i përket pandemisë, numra që rriten, shtretërit në spital duket se janë mbushur. Pas një periudhe qetësie relative u mendua se numrat ranë, që të paktën në Tiranë po shkonin drejt asaj që quhet imuniteti i tufës. Një studim i mbështetur nga Akademia e Shkencave tha se ndoshta 50% e qytetarëve të Tiranës e kanë kaluar COVID-19. Ju keni qenë kritik ndaj një qasjeje të tillë, përse kështu?
Unë nuk pretendoj të kem njohur shkencore as në fushën e imunologjisë, as në atë të epidemiologjisë. I detyrohem respekt të gjithë kolegëve, akademikë ose jo që merren me këto fusha. Por unë kam dy herë që kritikoj konkluzione të nxituara që nga pikëpamja metodologjike nuk më kanë bindur. Ndërhyrja e parë ishte aty nga marsi i vitit të kaluar kur në Akademinë e Shkencave një grup, informaticienë të ndryshëm, një pjesë në pension apo që punonin këtu aty mendonin se do gjenin algoritmin e përhapjes së virusit, mendonin që nga prilli do binte pandemia. Unë mendoja që nuk mund të matematizohet e gjalla. Nuk e kam nga vetja ime, por tërë filozofët e shkencës kanë thënë që proceset sociale, aq më pak biologjikja, e gjalla, nuk janë fenomene që mund të matematizohen që të gjendet ekzaktësisht kurba e tyre. Ka të dhëna për një kohë sigurisht mund të bëhen parashikime për të ardhmen, por s’mund të parashikohet.
Nuk janë këto procese lineare homogjene apo ciklike të rregullta. E para kjo. E dyta para një muaji përsëri nuk isha i bindur sepse kampionimi i atyre që zgjidheshin për t’u depistuar nuk kishte përfaqësues.
Spekulimi që gjoja është krijuar imuniteti i tufës dhe tani parashikohet rënia e epidemisë kjo më dukej e gabuar si deklarim. Një fotografim të çastit kërkon ta paraqesë si gjithë tablonë. Të tilla të dhëna mund të krijojnë pritshmëri që nuk janë të vërteta.
Ju vini re edhe këtë çështjen e numrave, nga njëra anë shkojnë fonde për studime të Akademisë së Shkencave që kanë të bëjnë me numrat e të infektuarëve dhe të testuarve, nga ana tjetër kemi Ministrinë e Shëndetësisë që jep numrat e saj në buletinin e përditshëm. Ka pasur një debat të madh në lidhje me këto numra, a paraqesin ato realitetin apo janë të kufizuar në fakt?
Unë jam kritik me mënyrën se si qeveria shpërndan fonde për të bërë studim. Qeveria në vend të bëjë transparencë dhe të hapë konkurrencën ‘unë kam një fond prej 65 milionë lekësh të vjetra, apo 100 milionë lekë të reja’ dhe të delegojë agjenci që të bëjë konkurrim, ku të gjitha institutet të konkurrojnë se kush e merr projektin i dërgon me komandim në një formë autoritare tek një institut i caktuar, në këtë rast Akademia e Shkencës që nuk ka asnjë laborator.
E dyta, ne kemi alokimin e këtyre fondeve në Akademi dhe akoma nuk kemi raportin e këtij studimi. Nuk kemi akoma publikimin e tij dhe një debat në komunitetin shkencor. Këto janë politikat e gabuara që unë nuk resht së kritikuari prej vitesh, si anëtar i Akademisë së Shkencave, si intelektual, si kërkues por nuk marr asnjë përgjigje. Nga njëra anë qeveria na thotë që të dhënat që na jep Ministria e Shëndetësisë, instituti i higjienës për shtrirjen e epidemisë janë të sakta, nga ana tjetër jep para për një studim që mat dhe njëherë këtë numër. Ose njëra ose tjetra. Ndërkohë çfarë ndodh, ndodh që drejtues shprehen në kundërshtim me rezultatet e studimit. Qeveria nuk thotë unë kam bërë këtë investim më jepni rezultatin.
Këto janë krejtësisht të papranueshme. E quaj një menaxhim stalinist të shkencës, në mënyrë piramidale, autoritare. Unë kam kritikuar dhe institucioni ku unë jam, Akademinë e Shkencave. Nuk ka nevojë Akademia e Shkencave të certifikojë një studim shkencor.
Institucioni ruan pozicionin neutral. Kryesia siç bën deklarata dhe publiku duhet ta dijë që asnjë në kryesi nuk ka kompetenca të gjykojë një studim për imunologjinë. Nuk mundet që institucioni të bëhet garanti i një studimi shkencor.