Në 4 vjet Bashkia e Tiranës ka realizuar 50 projekte përmes “Fondit për Komunitetin”. Përfitues janë edhe banorët e një pallati në rrugën “Thanas Ziko” në Njësinë Nr. 8, të cilët i kanë dhënë një pamje të re shtëpive të tyre, duke aplikuar pranë bashkisë për rehabilitimin e pallatit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi gatishmërinë e banorëve, të cilët u bënë bashkë për të aplikuar përmes administratorit dhe siguroi se kjo mbështetje do të vijojë. “Një tjetër pallat tek Rr. ‘Thanas Ziko’ i bashkohet buqetës sonë të pallateve të transformuara. Sot e çojmë në 50 projekte të tilla, aq sa kemi bërë kënde lojërash në çdo lagje. Pra, pallatet janë veshur me kapotë, janë sistemuar e rregulluar. Vetëm për dikë që ka punuar përditë e kupton se sa përpjekje duhet që t’i bindesh banorët të bien dakord, të mbledhin pak financa bashkë dhe pastaj, bashkia ta dyfishojë atë kontribut, duke u siguruar që banorët shpërblehen për këtë llojë sjellje”, tha Veliaj.

Falë “Fondit të Komuniteteve” pallati u vesh me sistemin kapotë, ka termoizolim, dhe çdo qindarkë e shpenzuar është bërë në transparencë me qytetarët. Veliaj tha se Bashkia e Tiranës, në këtë mandat të dytë, do të shtojë numrin e pallateve që do të rikonstruktohen, duke përmirësuar në këtë mënyrë jetën e komunitetit, por edhe duke i dhënë një vlerë të shtuar pronës.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Çfarë ndërtimesh jo cilësore mund të jenë bërë në vitet 70-80-90, siç është ky pallati i viteve 70-të, disa herë me punë vullnetare, disa herë jo me teknikat më të mira inxhinierike, nuk i zhbëjmë dot sepse ka mijëra banorë që jetojnë në këto pallate, por ajo që mund të bëjmë është të rregullojmë sa të mundemi. Për të bërë bashkë një pallat do shumë punë dhe shumë përpjekje. Megjithatë, fakti se në nivel kapilar ka filluar ky lloj mirëkuptimi dhe ndjenjë qytetarie, më jep shumë kurajo për mandatin e dytë dhe besoj nga 50 pallate do të shkojmë në shumëfishin e tyre, për t’u siguruar që kur mbyllim këtë mandat çdo pallat, të jetë kopsitur më e mira e mundshme, krahasuar me atë që gjetëm”, u shpreh kryebashkiaku.

Qytetarët e Tiranës mund të përfitojnë fonde falas nga Bashkia e Tiranës për të rehabilituar hapësirat e përbashkëta të pallateve, duke filluar që nga ndërtimi i lulishteve, këndeve të lojërave, hapësirave të parkimit, termoizolimit, etj. Veliaj theksoi se aty ku banorët bashkëpunojnë, edhe investimi ka duk dhe ruhet për një kohë të gjatë.

“Nuk shihet vetëm si pronë ose investim i shtetit, por shihet si një hapësirë e përbashkët, ku ata kanë vënë edhe diçka nga xhepi i tyre. Këto 50 pallate mund t’i bëjmë 500. Thirrja ime është për të gjithë administratorët, jo vetëm ata që kanë aplikuar njëherë, por edhe ata që ndoshta që sapo janë zgjedhur, të vijnë pranë bashkisë dhe ne jemi gati t’i financojmë, të dyfishojnë ato para që mblidhen, qoftë për veshje kapot, qoftë për një ashensor të ri, qoftë për panele diellore apo për çdo sistemim tjetër të territorit”, tha Veliaj.

Nga ky projekt përfitojnë të gjithë ata qytetarë që banojnë në një pallat apo një lagje të caktuar dhe kanë zgjedhur e certifikuar administratorin e pallatit të tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb