TIRANË- Operacioni “Forca e ligjit” godet sërish. Kështu bën të ditur Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në një postim në Twitter.

Ndonëse nuk jep detaje, ministri deklaron se aksioni policor është zhvilluar në Tiranë, Shkodër dhe Roterdam, Holandë ku është goditur një nga grupet kriminale më të rrezikshme në veri të vendit.

“Një tjetër super-aksion policor në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit” nga ana e Task Forcës Speciale Qendrore së Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Operacioni “Forca e Ligjit” goditje ndëshkuese njëkohësisht në Shkodër, Tiranë dhe Roterdam (Holandë), me disa të arrestuar për një nga grupet kriminale më të rrezikshëm në veri të vendit”, shkruan Xhafaj.

Kujtojmë se pasditen e djeshme është arrestuar në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë Safet Bajri (Rustemi), i njohur ndryshe si “i forti” i Shkodrës.

Arrestimi i 34-vjeçarit u bë në kuadër të një procedimi penal të nisur nga Prokuroria për Krimet e Rënda, rreth 1 vit e gjysmë më parë, pasi ishte në listën e më të kërkuarve në Belgjikë.

Mediat në Belgjikë e kanë konsideruar 34-vjeçarin Safet Bajri (Rustemi), si bosin e një organizate kriminale të fuqishme në veri të Shqipërisë. Opozita e ka cilësuar 34-vjeçarin si pjesë e familjeve kriminale që veprojnë në qytetin e Shkodrës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb