Forcat e Komandës Qendrore të SHBA (CENTCOM), në bashkëpunim me forcat irakiane të sigurisë dhe inteligjencës, kryen një sulm ajror në provincën Anbar të Irakut që vrau numrin 2 të Shtetit Islamik (IS), Abdallah Makki Muslih al Rifai, i njohur gjithashtu si Abu Khadijah, së bashku me një luftëtar tjetër.
CENTOM konfirmoi të dielën eliminimin e Abu Khadijah, duke saktësuar se operacioni ishte zhvilluar në datën 13 mars.
“Si emir i organit më të lartë vendimmarrës të ISIS-it, Abu Khadijah ka mbajtur përgjegjësinë për operacionet globale, logjistikën dhe planifikimin e ISIS-it dhe menaxhonte një pjesë të konsiderueshme të financave të organizatës,” shkroi Centcom në X, ndërsa u publikuan edhe pamjet nga momenti i sulmit të ushtrisë amerikane.
Deklarata shtonte se dy militantët e vrarë mbanin veshur jelekë vetëvrasës dhe kishin armë të ndryshme, dhe se Abu Khadijah është identifikuar përmes një testi të ADN-së.
“Abu Khadijah ishte një nga anëtarët më të rëndësishëm të IS-it në të gjithë organizatën globale të IS-it. Do të vazhdojmë të vrasim terroristët dhe të shkatërrojmë organizatat e tyre që kërcënojnë atdhenë tonë dhe stafin amerikan, aleatët dhe partnerët tanë në rajon dhe përtej”, ka deklaruar gjenerali Michael Erik Kurilla, komandant i Centcom.
Presidenti amerikan Donald Trump e ka konfirmuar sot këtë lajm në platformën Truth, ku ka shkruar: “Sot lideri i arratisur i IS-it në Irak u vra. Ai u ndoq pa pushim nga luftëtarët tanë të guximshëm. Jeta e tij e mjerueshme u ndërpre, së bashku me një anëtar tjetër të IS-it, në koordinim me qeverinë irakene dhe qeverinë rajonale kurde”.
(BalkanWeb)