TIRANE- Ndryshimet në ligjin “për të huajt”, të miratuara të hënën nga komisioni parlamentar i Çështjeve Sociale dhe komisioni i Jashtëm synojnë forcimin e kritereve për pajisjen me leje të përhershme qëndrimi për biznesmenët e huaj që investojnë në Shqipëri.

Në prezantimin e projektit, zv/ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea tha se ndryshimet në ligj janë rezultat i ndryshimeve të ndodhura në flukset migratore, pasi ligji ekzistues ka paraqitur mangësi.

Ndryshimet, mes të tjerash, parashikojnë që një biznesmen i huaj mund ta përfitojë lejen e përhershme të qëndrimit në Shqipëri vetëm nëse ka investuar të paktën dy milionë euro dhe ka hapur minimalisht 100 vende të reja pune.

Në ligjin aktual, shuma e kërkuar e investimit ka qënë një milion euro, ndërsa numri i vendeve të punës vetëm 10 vetë. Po ashtu, ligji i ri ‘Për të huajt” krijon për herë të parë mundësinë që profesionistët e huaj të pavarur të ofrojnë shërbime në Shqipëri. Këta janë personat fizikë, të regjistruar si të vetëpunësuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, por që kanë një kontratë për ofrimin e shërbimeve me një përfitues në Shqipëri.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: