Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në një deklaratë për shtyp tha se Këshilli i Ministrave miratoi sot një paketë të ndryshimeve ligjore që ndalon përfitimin e të mirave publike nga persona fizikë apo individë të dënuar për një sërë veprash të rënda penale që lidhen me krimin e organizuar, trafikimin dhe terrorizmin dhe korrupsionin.

“Do u ndalohet çdo lloj mundësie që kjo kategori individësh, shoqërish tregtare dhe aksionere dhe përfaqësues të tyre të përfitojnë para nga taksapaguesit shqiptarë apo të përfitojnë mbështetje financiare nga fondet publike për ushtrimin e aktivitetit të tyre fitimprurës” u shpreh ministja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në një deklaratë për median pas mbledhjes së qeverisë.

Nëse deri më sot në bazë të ligjeve në fuqi përjashtoheshin vetëm subjekti juridik i dënuar më parë, me hyrjen në fuqi të paketës së re do të përjashtohen edhe aksionerët, administratorët apo individë të tjerë me rol vendimmarrës në këto shoqëri tregtare të cilat janë ose kanë qenë të dënuar në cilësinë e tyre individuale. Me këtë paketë ligjore parashikohet që nuk do të mund të përfitojnë tendera publikë apo koncesion asnjë kompani që jo vetëm rezulton e dënuar si subjekt juridik por dhe në rastet kur të dënuar rezultojnë administratorët, përfaqësuesit, drejtuesit, ortakët apo aksionerët,” u shpreh ajo.

Fjala e plote

Sot, Këshilli i Ministrave miratoi një paketë ndryshimesh ligjore që ndalon përfitimet e të mirave publike nga persona fizikë, apo juridikë, të dënuar për një sërë veprash të rënda penale, që lidhen me krimin e organizuar, trafikimin, terrorizmin dhe korrupsionin.

Falë kësaj pakete, me hyrjen në fuqi të këtyre masave do të ndalohet çdo lloj mundësie që kjo kategori individësh shoqërish tregtare apo aksionere dhe përfaqësuesit e tyre të përfitojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë, apo mbështetje financiare nga fondet publike për ushtrimin e aktivitetit të tyre fitimprurës.
Lufta jonë frontale ndaj kriminalitetit shënon sot një zhvillim të ri.

Nëse deri më sot, në bazë të ligjeve në fuqi, përjashtoheshin nga përfitimi i fondeve publike vetëm subjektet juridikë të dënuar më parë, me hyrjen në fuqi të paketës së re do të përjashtohen edhe aksionerët, administratorët, apo individë të tjerë me rol vendimmarrës në këto shoqëri tregtare, të cilat janë, ose kanë qenë të dënuar nën cilësinë e tyre individuale.

Këto ndryshme janë në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Europian dhe standardet ndërkombëtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Me këtë paketë ligjore parashikohet që nuk do të mund të përfitojnë tendera publikë, apo koncesione asnjë kompani, që, jo vetëm rezulton e dënuar si subjekt publik, por edhe në rastet kur të dënuar rezultojnë administratorët, përfaqësuesit, drejtuesit, ortakët, apo aksionerët.

I njëjti ndalim do të aplikohet edhe për përfitimin e statusit të investitorit strategjik, përftimin për lehtësi në fushën e turizmit dhe përfitimin e ndihmës shtetërore.
Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast për të kujtuar edhe njëherë çdo individ me rekorde kriminale se nuk do të ketë asnjë shans të përfitojë asnjë qindarkë nga paratë e taksapaguese shqiptarë.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb