SHKUP- Ish përfaqësuesi i grupit ndërkombëtar të krizës për Maqedoninë, Eduard Xhozef vlerëson se faktori ndërkombëtar duhet t’i kushtoj vëmendje të vazhdueshme Maqedonisë. Këtë tezë ai e mbron në revistën me ndikim “Foreign Affairs”, në një analizë të detajuar mbi ngjarjet politike, por edhe rastin e fundit në Kumanovë. Sipas tij, ngjarjet e Maqedonisë janë shembull tipik i pasojave të vëmendjes së përkohshme në vend të vëmendjes konstante. Gabimin, edhe për Maqedoninë edhe për vendet e tjera në Ballkan, ai e sheh në faktin se liderëve ballkanik iu dha shumë herët përgjegjësi të madhe për të mbajtur.

“Uashingtoni i ndau BE-së shumë herët, përgjegjësinë kryesore për Ballkanin, e cila në fakt, shumë herët ia kaloi këtë përgjegjësi liderëve në rajon. Pa “kulaç” ose “kërbaç” të fortë të BE-së për të kontrolluar sjelljen e tyre, politikanët konsoliduan rrjetet e tyre të korrupsionit, frikësuan mediumet, duke bërë rezistencë ndaj reformave thelbësore”, tha Eduard P. Xhozef për “Foreign Affairs”.

Në analizën për Maqedoninë, Xhozef vlerëson se Nikolla Gruevski duket i gatshëm të luftojë deri në fund, i ballafaquar me pasojat gjyqësore por edhe ato personale, pas “bombave” të publikuara nga opozita. Njëkohësisht, ai vlerëson se motivet për ngjarjet në Kumanovë të paktën janë misterioze.

“Ironikisht, përleshja mes policisë maqedonase dhe radikalëve të supozuar shqiptarë vjen në një kohë kur marrëdhëniet ndëretnike shënojnë hapa përmirësimi. Për herë të parë në historinë e tij 24 vjeçare si shtet modern i pavarur, shqiptarët dhe maqedonasit, në masë të madhe duken të bashkuar në luftën kundër diktaturës. Në kohën kur thuajse të gjitha televizionet janë nën kontrollin qeveritar, pikërisht televizioni Alsat M me pronësi shqiptare, është ai që transmeton bisedat e përgjuara dhe ofron hapësirë të konsiderueshme në ekran për zërin e opozitë, që është shembull i mrekullueshëm i solidaritetit”, u shpreh Eduard P. Xhozef për “Foreign Affairs”.

Përmes shembullit në Maqedoni, Xhozef i kujton Perëndimit leksionin nga ish Jugosllavia. Nëse ju shpëton ballafaqimi i menjëhershëm dhe direkt ndaj një problemi thelbësor për ta zgjidhur, më vonë do ta keni shumë vështirë për ta vënë nën kontroll dhe zgjidhur atë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: