ITALI – Ditët e fundit të vitit janë gjithmonë të mira për të bërë bilancet. Disa ekipeve italiane këto të fundit nuk kanë rezultuar fort pozitive, pasi shumë prej lojtarëve që janë afruar në verë me bujë në fushë nuk kanë dhënë atë që pritej. Të tilla situata kanë shtyrë mediet italiane që të ndërtojnë formacionin më të mirë dhe atë më të keq të muajve të fundit të 2014-ës.

Më të mirët – Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Formacioni më i mirë ka në pankinë një trajner si Sinisha Mihajloviç, i cili me Sampin po bën çudira. Qyteti i Xhenovas përfaqësohet edhe me dy elementë të tjerë. Perin dhe Antoneli janë dy “përfaqësuesit” e Xhenoas të Gasperinit. Në repartin defensiv spikat edhe Rugani. Juventini, i cili aktualisht luan si i huazuar te Empoli, ka në ekip edhe bardhezinj të tjerë si Pogba dhe Tevez. Ndërkohë që Roma ka në këtë ekip vetëm Naingolanin. Ndërsa nga Milani janë përzgjedhur Abate dhe Menez. Njëmbëdhjetëshin e plotësojnë Kajehon i Napolit dhe Dybala i Palermos.

Më të dobëtit – Në pankinën e formacionit më të dobët ulet Valter Maxarri, që me Interin gjatë tërë punës së tij nuk arriti të merrte asnjëherë tri fitore me radhë. Ndërsa në portë është zgjedhur Mirante, i cili, së bashku me Lodin në mesfushë, janë “simboli” i dështimit të Parmës. Në mbrojtje luajnë lojtarët që u morën në fund të karrierës nga Interi dhe Roma. Vidiç edhe Kol për asnjë moment nuk kanë treguar formën që kanë pasur respektivisht me Junajtid dhe Çelsin. Në këtë repart luajnë edhe Albiol (Napoli) dhe Bonera (Milan).

Emrat e tjerë të famshëm që kanë përfunduar mes më të dobëtëve janë edhe ato të internistëve si M’Vila dhe Palasio. Ndërsa spikat edhe prania e Iturbes, blerjes së bujshme të Romës që e mori nga Verona për 30 mln euro. Të njëjtin “fat” si argjentinasi kishte edhe Fernando Torres, i cili pas ardhjes në Serinë A ka lënë gjurmë duke shënuar vetëm një gol. Në këtë ekip është edhe Hamshik, që ka mbetur “viktimë” e sistemit të ri të lojës të Benitezit.
(er.nu/panoramasport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: