Pavarësisht se dëmtimet dhe pezullimet e kanë penguar të ketë ide 100% të qarta për 11-shen e Partizanit, trajneri Veselinoviç me përzgjedhjet e tij përgjatë 11 ndeshjeve që ka në drejtim të ekipit, i ka treguar indirekt të preferuarit e tij.
“Panorama Sport” ka ndërtuar një formacion me lojtarët më të aktivizuar të Partizanit në 13 javë të luajtura dhe mund të themi se nëse të gjithë do të ishin të gatshëm, me siguri Veselinoviç nuk do të bënte asnjë ndryshim.
Në portë Qirko e ka mënjanuar Hoxhën, teksa edhe emrat në mbrojtje janë kristalizuar tashmë, me Bytyçin si risi nga e djathta. Edhe mesfusha është fiksuar me Rrapaj-Mehmeti-Ismaili, me Koten, që së fundmi po vë në rrezik praninë e ndonjërit prej tyre.
Në sulm Zeka dhe Cara nuk kanë pasur rivalë, teksa Mba herë pas here bën rokadë me Bintsukën. Lojtari me më shumë minuta te Partizani pas Qirkos, është Sembene, me 1080 minuta, i ndjekur nga Rrapaj me 1043. Kjo treshe janë të vetmit që kalojnë kufirin me katër shifra.