Shqipëria ia doli që të marrë pjesë në një kompeticion të rëndësishëm për herë të parë. Do të jetë në Francë, përkrah 23 kombëtareve të tjera, që siguruan një biletë për në Kampionatin Europian. Kuqezinjtë e trajnerit De Biazi e realizuan një arritje historike dhe çdo gjë mund të kapin në kompeticionin kontinental do të jetë thjesht një bonus, shkruan “Panorama Sport”. Sigurisht që tifozët do shpresojnë për një aventurë që mund të zgjasë sa më shumë dhe, në fakt, formati i ri i Europianit të lejon të shpresosh.

Faza e grupeve
Turneu do të ketë 24 ekipe pjesëmarrëse, të cilët do ndahen në gjashtë grupe me nga katër skuadra. Në grupin e parë është vendosur të jetë Franca, që është edhe vendi organizator i turneut. Për këtë arsye, ata u kualifikuan edhe pa zhvilluar fazë eliminatore, ku morën pjesë në grupin e Shqipërisë. Ndaj tyre, kuqezinjtë fituan një përballje 1­0 dhe barazuan tjetrën.

Shorti
Për të mësuar se me cilët kundërshtarë do të jetë në grup, kombëtarja jonë duhet të presë datën 12 dhjetor, kur do të hidhet edhe shorti. Ceremonia do zhvillohet në Pallatin e Kongreseve të Parisit. Skuadrat do të ndahen në katër vazo. Spanja do jetë në vazon e parë sikampionia në fuqi. Gjithashtu aty është konfirmuar se do të jetë Gjermania, Anglia dhe Portugalia. Ndarja bëhet sipas renditjes që kanë në UEFA prej koeficientit. Shqipëria është e konfirmuar që do të jetë në vazon e katërt. Deri tani në të do të jetë edhe Uellsi me Irlandën e Veriut. Ndërkohë, Rumania ka konsoliduar veten në vazon etretë. Një kundërshtar i mundshëm për kuqezinjtë…

Kualifikimi
Çdo ekip pjesëmarrës ka plot 66.6% shanse që të kalojë në raundin e 1/16­ ve të Kampionatit Europian. Kjo, për shkak se nga 24 ekipe pjesëmarrëse, vetëm tetë prej tyre do të eliminohen që në grupe.
Sipas formatit të ri, dy ekipet e para kualifikohen direkt, ndërsa katër të tretat më të mira nga gjashtë grupet sigurojnë gjithashtu një “biletë” për në raundin tjetër. Me probabilitet ka shumë mundësi që të mjaftojë vetëm një fitore për t’ia dalë mbanë që të sigurohet kualifikimi për në raundin pasardhës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: