Pas garës së keqe në Gjermani, “Mercedes”-i kthehet të bëjë atë që di më mirë në Hungari. Ljuis Hamilton dhe skuderia kanë qenë një binom perfekt, dhe kur çdo gjë shkon në kahun e duhur, asgjë nuk mund t’i mposhtë. E provoi Maks Verstapen, por u dorëzua me nder vetëm 3 xhiro përpara fundit. Kampioni i Botës në fuqi i jep kështu një goditje të rëndë kampionatit dhe shkon në pushime pasi ka hipotekuar titullin e gjashtë botëror, teksa është 62 pikë përpara Botasit, shokut të skuadrës që bëri një garë të keqe dje, duke u ndalur në vendin e tetë. I nisur nga vendi i tretë, Hamilton parakaloi finlandezin në kthesën e katërt dhe më pas u vu në ndjekje të holandezit.

Dueli Verstapen
Dueli Verstapen

Në xhiron e 49-të vjen lëvizja gjeniale e “Mercedes”-it, që fut në bokse numrin 44. Një lëvizje paksa e rrezikshme, por që u shpërblye shpejt, pasi me gomat e verdha, Hamilton fitoi shpejtësi xhiro pas xhiroje, ndërsa gomat e bardha të Verstapenit nisnin të lëshonin pe. 19 sekondat e distancëz u bënë pluhur e hi në vetëm 3 xhiro, ndërsa parakalimi ishte një lojë fëmijësh. Një fitore e rëndësishme kjo edhe për moralin.

Hamilton
Hamilton

I pafat Verstapen, që u vu me shpatulla pas murit nga rivalët gjermanë dhe pavarësisht se dha gjithçka, nuk mundi dot të luftonte me armë të barabarta. Nuk ka përse të mërziten në shtëpinë “Red Bull”. Thjesht të tjerët ishin më të zotë dhe më të shpejtë.

Pastaj vjen “Ferrari”, që e mbylli me Fetelin në podium përpara Leklerkut, por shumë mbrapa kryesuesve dhe rrezikoi jo pak që të parakalaohej për herë të dytë nga Hamiltoni dhe Verstapeni. Një minutë diferencë nga Hamiltoni është një pafundësi në këtë sport dhe në Maranelo duhet të nisin të mendohen se çfarë nuk shkon sepse në disa pjesë të ndryshme të pistës edhe dy “McLaren”-nët ishin më të shpetë sesa Fetel-Leklerk.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb