NGA ERMELINDA HOXHAJ*

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka hapur data të reja për plotësimin e formularit A1Z për ata maturantë, të cilët kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2016 dhe nuk kanë asnjë detyrim për të dhënë provime të Maturës Shtetërore. Faktikisht, periudha 25 mars-10 prill ishte afati zyrtar që MAS kishte përcaktuar për plotësimin e formularit A1 dhe A1Z.

Por, duke qenë se të drejtën për të garuar në universitet e kanë edhe ata studentë që nuk preferojnë atë degë ku janë shpallur fitues dhe duan të regjistrohen në një degë tjetër, si dhe ata maturantë që vitet e mëparshme nuk janë shpallur fitues në asnjë program studimi, MAS ka hapur sërish regjistrimet sipas kalendarit të mëposhtëm (shiko tabelën). Plotësimi i formularit A1Z nga kjo kategori kandidatësh bëhet online në faqen në shkollën ku kanë kryer shkollën e mesme.

Sa u përket hapave të mëtejshme për aplikimin në universitet, edhe pse është folur se aplikimi do bëhet pranë institucioneve të arsimit të lartë, nga Ministria e Arsimit është sqaruar se po përgatitet udhëzimi, i cili do sqarojë hapat që duhet të ndjekin maturantët. Sipas burimeve, aplikimi i maturantëve pritet të bëhet nëpërmjet “formularit të aplikimit”, i cili do të zëvendësojë formularin A2, pasi në këtë formular kandidatët do të listojnë preferencat ku duan të vijojnë arsimin e lartë.

Formulari A1Z & datat
Maturantët që kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2016 dhe nuk kanë asnjë detyrim për të dhënë provime të Maturës Shtetërore do të kryejnë aplikimin në periudhën 03 maj-06 maj 2016, sipas kalendarit të mëposhtëm, të publikuar nga AKP. Kandidatët që do të aplikojnë të parët janë maturantët e Drejtorive Arsimore Tiranës qytet, Tirana qark, Durrës, Kavajë, Krujë, Kamëz, Mirditë. Në datë 4 maj, veç maturantëve që bëjnë pjesë në DAR Tiranë dhe DAR Tiranë qark kanë të drejtë dhe kandidatët e Drejtorisë Arsimore Vlorë, Gjirokastër, Peqin, Gramsh, Librazhd, Sarandë, Skrapar, Përmet.

Po ashtu, në atë datë kanë të drejtën të bëjnë aplikimin maturantët që kanë mbaruar shkollën e mese në shkollat që bëjnë pjesë në Drejtoritë Arsimore Elbasan, Korçë, Pogradec, Kolonjë, Devoll, Berat, Kuçovë Kurbin, Kukës, Mat, Delvinë. Ndërkohë që në ditën e fundit të aplikimit, portali do të hapet për maturantët që kanë mbaruar gjimnazin para vitit 2016 në Drejtoritë Arsimore Fier, Mallakastër, Tepelenë, Lushnje, Malësi e Madhe, Pukë, Lezhë, Bulqizë, Has, Tropojë.

“Të gjithë ata kandidatë që kanë mbaruar Maturën Shtetërore përpara vitit 2016 dhe nuk kanë asnjë detyrim për të dhënë provimet e Maturës Shtetërore dhe që dëshirojnë të aplikojnë më pas në programet e studimit në IAL publike apo private, duhet të plotësojnë Formularin A1Z online. Qëllimi i këtij formulari është plotësimi i databazës së të dhënave të kandidatëve, që më pas do të aplikojnë për pranim në Institucionet e Arsimit të Lartë (publike dhe private) për vitin akademik 2016-2017. Aplikimi i kandidatëve për programet përkatëse të studimit do të kryhet në një periudhë që do të përcaktohet në vijim nga Ministria e Arsimit dhe Sportit”, përcaktohet në njoftimin e MAS.

Plotësimi online i formularit A1Z për kandidatët e sipërpërmendur bëhet në shkollat ku ata kanë kryer arsimin e mesëm të lartë ose në shkollën e përcaktuar nga KMSH-ja e vendbanimit, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur. Procesi i plotësimit të formularit A1Z do të ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikë-qyrës”. Përfaqësuesit e shkollës marrin kontaktet e kandidatit për ta njoftuar më vonë për paraqitjen në shkollë, për futjen e të dhënave shkollore të tri viteve të arsimit të mesëm.

Kandidatët, të cilët aplikojnë për në universitet gjatë këtij viti akademik 2016-2017 nuk duhet të rezultojnë të regjistruar në ndonjë program studimi në asnjë Institucion të Arsimit të Lartë gjatë periudhës së aplikimit. Pra, nëse një kandidat ndjek studimet në një program që nuk i pëlqen dhe dëshiron të garojë këtë vit për një tjetër program studimi, duhet të bëjë çregjistrimin në degën ku vijon studimet, para së të bëjë plotësimin e formularit A1Z.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: