NGA OLA MITRE

TIRANE- Plotësimi i formularit A2, i cili është i vlefshëm për regjistrimin në garën për universitete do të nisë në datën 27 korrik. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka publikuar kalendarin e plotë, ndërkohë që ashtu sikurse vitet e kaluara, plotësimi i tij do të bëhet në data të veçanta, sipas qyteteve përkatëse. Sipas tij, vetëm kandidatët e Tiranës qytet dhe qark do të ketë në dispozicion 3 ditë kohë për të bërë aplikimet, ndërkohë që qytetet e tjera, vetëm 1 ditë. Më konkretisht, kandidatët e Tiranës do të duhet të bëjnë plotësimin e formularit A2 në datat 27, 28 dhe 29 korrik. Në datën 29 korrik do të kenë mundësi aplikimi edhe kandidatët e Kamzës, Kavajës, Durrësit dhe Krujës.

Maturantët e qyteteve: Elbasan, Peqin, Gramsh, Librazhd, Korçë, Pogradec, Kolonjë dhe Devoll do të duhet ta plotësojnë në datën 30 korrik, ndërsa në datën 31 korrik do të aplikojnë kandidatët e Fierit, Mallakastrës, Lushnjës, Beratit, Kuçovës dhe Skraparit. Sipas kalendarit të MAS, aplikimet vazhdojnë në datën 1 gusht me Shkodrën, Malësinë e Madhe, Pukën, Lezhën, Kurbinin dhe Mirditën, ndërsa në 3 gusht me Vlorën, Sarandën, Delvinën, Gjirokastrën, Tepelenën dhe Përmetin. Plotësimi i formularit A2 mbyllet në datën 4 gusht me Kukësin, Hasin, Tropojën, Dibrën, Matin dhe Bulqizën. Në formularin e këtij viti, kandidatët do të mund të përzgjedhin 10 nga 289 degët e listuara.

Apeli
Ndërkaq, përmes një daljeje publike, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, këshilloi maturantët që para se të bëjnë aplikimin online, duhet të njihen me të gjithë informacionin e nevojshëm, në mënyrë që të mos gabojnë në përzgjedhjen e degëve.

“Maturantët apo kandidatët duhet të njihen fillimisht me listën e plotë të programeve të studimit që ofrohen nga Institucionet e Arsimit të Lartë Publik për vitin akademik 2015-2016, kuotat e miratuara me Vendim të Këshillit të Ministrave për çdo program studimi, koeficientin e shkollës për çdo program studimi (K), koeficientin e lëndëve me zgjedhje (F1 dhe F2) për çdo program studimi, formulën e llogaritjes së pikëve si dhe pikët e fituesit të fundit për çdo program studimi në vitin e kaluar akademik”, u shpreh Malaj. Po ashtu, për të mos u penalizuar nga e drejta e plotësimit të këtij formulari, kandidatët duhet të kenë kryer procedurat për pasqyrimin në sistem të pikëve apo notës mesatare. Kjo do të thotë se paraprakisht duhet të jetë bërë pagesa prej 2000 lekësh, ndërkohë që procedurën e plotë për këtë proces e gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit.

Pranimi i studentëve në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë edhe këtë vit do të bëhet nëpërmjet parimit Meritë-Preferencë, përmes dy raundeve (aplikimi me dy formularët, A2 dhe A3). Ashtu sikurse vitin e kaluar, raundi i parë (aplikimi me formularin A2) do të zhvillohet në dy faza: faza I, regjistrimi online dhe Faza II, ku përfshihet regjistrimi me dokumentacionet e kërkuara sipas udhëzimit të MAS, që do të dalë në ditët në vijim në sekretaritë e fakulteteve pranë Institucioneve të Arsimit të Lartë publik, ku janë shpallur fitues.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb