Forumi Global për Pensionet Private “Zhvillimi dhe mbikëqyrja e marrëveshjeve për fondet e pensioneve” nisi punimet sot, më 7 nëntor 2019, në Tiranë. Forumi organizohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me  Organizatën Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Pensioneve, (IOPS) dhe Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).


Në forumin më të madh për tregjet financiare të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri marrin pjesë përfaqësues nga autoritetet rregullatore dhe mbikëqyrëse, ekspertë të nivelit të lartë nga industria e fondeve private të pensionit nga vendet anëtare të të dyja organizatave OECD dhe IOPS.


Në fjalën e mbajtur në nisje të punimeve, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Koçi theksoi se për Autoritetin është privilegj dhe përgjegjësi e lartë organizimi i Forumit Global të Pensioneve Private për herë të parë në Tiranë. Aktivitete të këtyre përmasave përveç shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira midis rregullatorëve të tregjeve financiare shërbejnë më së miri për të promovuar Shqipërinë në Botë, tha ai.


“Kjo është konferenca më e rëndësishme dhe me pjesëmarrjen më të madhe për tregjet financiare që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Dhe kjo do të thotë shumë për Autoritetin dhe politikbërësit ku në bashkëpunim kemi një projekt ambicioz për zhvillimin e tregut të kapitaleve, specifikisht edhe për tregun e pensioneve. Si objektiv të përbashkët synojmë të kalojmë nga një treg modest i pensioneve private në një treg të konsoliduar nën një mbikëqyrje të kujdesshme në funksion të rritjes së mirëqënies dhe zhvillimit të tregut, duke e kthyer atë në një aset për ekonominë,” u shpreh Z. Koçi.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Znj. Anila Denaj u ndal te rëndësia e zhvillimit të tregut të pensioneve private, në funksion të rritjes së mirëqënies për qytetarët dhe largimit të presionit nga skema shtetërore e pensioneve.

Forumi u përshëndet nga presidentja e sapozgjedhur e Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Pensioneve (IOPS), Znj. Helen Rowell, e cila u votua në Shqipëri nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv për një mandat 2-vjeçar dhe Sekretari i Përgjithshëm, Z. Andre Laboul.

Temat kryesore që do të trajtohen në Forum përgjatë dy ditëve të punimeve të tij, lidhen me: Reformat e pensioneve në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore gjatë 20 viteve të fundit; Zhvillimet e qëndrueshme për fondet e pensioneve: çështje të politikave rregullatore dhe mbikëqyrëse; Hartim i mirë i planeve të pensioneve me kontribut të përcaktuar: Udhëzuesi i OECD; Mënyra për të ndërtuar dhe mbikëqyrur marrëveshjet e pensioneve të mbështetura nga punëdhënësi; Fondet e pensioneve dhe ndërthurja me tregun e kapitaleve.

Forumi Global i Pensioneve Private do të vijojë punimet edhe gjatë ditës së nesërme, 8 nëntor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: