BERAT- Në Berat u mbajt Forumi i katërt Qytetar për Sigurinë Publike, me pjesëmarrjen e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, Kryebashkiakut të Beratit, Drejtorëve të shkollave të qarkut, grupeve e interesit dhe shoqërisë civile.

Në këtë forum, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen aktive të tyre duke mirëpritur sugjerimet, si dhe u është përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga qytetarët.

Në fund të takimit Drejtori i Përgjithshëm ka akorduar 2 Certifikata karriere për dy ish-punonjës policie tashmë në pension.

“Ndjehem i privilegjuar që jam në këtë takim në qytetin e Beratit, për faktin se një pjesë e mirë pavarësisht se është pjesë e shkurtër e karrierës time policore, e kam kaluar dhe këtu në qytetin e Beratit dhe shikoj edhe fytyra me të cilët unë kam bashkëpunuar gjatë kohës që kam qenë me detyrë, në këtë qytet dhe kjo ma bën më të lehtë pjesën e komunikimit me ju.
Ne jemi të ndërgjegjshëm që Policia e Shtetit aktualisht nuk është Policia më e mirë në botë, ose Policia që çdo qytetar të jetë i kënaqur në perceptimin e asaj që pret nga Policia.
Konkretisht përsa i përket qarkullimit rrugor, jo se dua të shfajësoj punën e Policisë Rrugore, absolutisht që shërbimi i Policisë Rrugore ka probleme, ne me riformatimin e ri që po i bëjmë strukturës së Policisë Rrugore, po eorganizojmë në nivel qarku për t’i dhënë më fleksibilitet shërbimit të Policisë Rrugore dhe duke i larguar nga rruga, pra për të mos bezdisur qytetarët vend e pa vend, për të mos patur prezenca të Policisë Rrugore çdo një kilometër apo dy kilometër por shërbimi i Policisë Rrugore të jetë në ato momente ku qytetari ka nevojë dhe për të rritur sigurinë rrugore dhe për të parandaluar aksidentet”, tha Veliu.

Në lidhje me implementimin e projektit të oficerëve të sigurisë, drejtori i Policisë tha se “në Tiranë ne jemi duke e implementuar, nga Akademia e Sigurisë është përgatitur një kurrikul në lidhje me detyrimet që kanë oficerët e sigurisë nëpër shkolla, por pavarësisht se ne jemi duke e implementuar në Tiranë me 15 punonjës Policie të cilët vijnë nga radhët e Policisë ne përsëri nuk jemi dakort që oficeri i sigurisë të jetë punonjës Policie”.

I pyetur nga një qytetar, “A do të zhduket kanabisi”, Veliu tha se numri i rrënjëve të bimëve të Kanabisit, evidentuar gjatë vitit 2017 qenë viti më i ulët.

“Përsa i përket evidentimit të bimëve narkotike në 25 vitet e fundit ka qenë në nivelet më të ulëta historike.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë e ka filluar këtë aksion duke mos pritur as muajin Mars as muajin Prill e me rradhë kur fillon e ngrohet koha, por e kemi filluar në muajin Janar jo vetëm duke përgatitur bazën ligjore dhe ndarjen e grupeve të monitorimit, për të monitoruar punën e Policisë së Shtetit dhe për të parandaluar këtë fenomen, por duke ushtruar kontrolle të vazhdueshme në zonat e riskut, në të gjitha vendet në të cilat ka patur prezencë të kultivimit në vite, njëkohësisht duke bërë edhe monitorimin ajror me partnerët italianë”, u shpreh drejtori i policisë.

Përsa i përket kritikës që bëri komunitetit fetar në lidhje me bashkëpunimin apo çfarë të mira ka sjellë ky bashkëpunim dhe njëkohësisht moszbulueshmërisë së vjedhjes së veprave të kultit, Veliu tha se
janë defekte që bëjnë mirë, sepse mësojmë të vërtetën dhe njëkohësisht na obligojnë për të marrë masa që këtë situatë të krijuar ta analizojmë, të shikojmë edhe një herë në detaje provat dhe ato çfarë është grumbulluar në studimin dhe hetimin e këtyre fenomeneve, dhe të marrim masa për të bërë të mundur identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e këtyre ngjarjeve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb