20-vjeçari Sabri Kreka humbi jetën mëngjesin e kësaj të hëne pasi automjeti me të cilin ai udhëtonte doli nga rruga në autostradën Tiranë-Durrës. Ngjarja ndodhi pranë zonës së Sukthit, ku i riu humbi kontrollin e makinës dhe pasi theu barrierat metalike të rrugës, përfundoi në kanal.

Plagët e marra nga përplasja i morën jetën në vendin e ngjarjes Sabri Krekës.

BalkanWeb mëson se i riu në foto do të festonte ditëlindjen e 20-të nesër, 19 nëntor, por fatkeqësisht jeta iu ndërpre sot tragjikisht.

Mësohet se shkak për aksidentin ka qenë shpejtësia e lartë me të cilën po lëvizte i riu nga Durrësi në drejtim të Tiranës.

Durrës/Informacion paraprak

Në orët e para të mëngjesit, në autostradën “Durrës-Tiranë”, në Sukth, shtetasi S. K., 20 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga.

Për shkak të dëmtimeve, 20-vjeçari ka humbur jetën në vendin e aksidentit.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb