3 gola dhe një asssit janë shifra të denja për një “top player”. Jasir Asani vërtetoi edhe një herë se është një lojtar me shumë klas, e majta e tij nuk është aspak rastësore, por është magjike kur është në formë e duhur. Sulmuesi kuqezi udhëhoqi ekipin e tij Gwangju në ndeshjen e parë historike në Champions League Aziatike me një paraqitje të jashtëzakonshme.
Nota e Jasir Asanit, sipas “SofaScore” ishte mbresëlënëse, 9,9, nota më e lartë e xhiros së parë në Champions League. Jo vetëm kaq, Asani është përzgjedhur edhe në formacionin më të mirë të javës, sërish qëndron në majë me notën më të lartë.
Forma e shkëlqyer e Jasir Asanit është pa diskutim një lajm i shkëlqyer edhe për trajnerin Sylvinho. Asani ka qenë dhe mbetet një nga lojtarët kyç në formacionin e tij, i pazëvendësueshëm. Në dy ndeshjet e tetorit, në transfertat kundër Çekisë dhe Gjeorgjisë kërkohet një Asani në versionin e tij më të mirë për të mbajtur të gjallë objektivin për të fituar grupin B1 në Ligën e Kombeve.