BERAT- Policia e Beratit ka goditur një rast të trafikut të paligjshëm duke arrestuar 4 persona, mes tyre një polic të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë ditës së sotme, nga ana e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektorin për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm në Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe SHÇBA, mbi bazën e një hetimi 3-mujor u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “AZILANTI 5″.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë 4 shtetasit:
1- Kreshnik Kotollaku 34 vjeç, banues në Urë Vajgurore;
2- Gezim Kapllani 55 vjeç, banues në Berat;
3- Valentin Gremi 35 vjeç, banues në Fier;
4- Drini Çaçi, 39 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë trup shërbimi në vijën e gjelbër në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë mbi bazën e një pune të mirëfilltë hetimore, ku si rezultat i të cilës ditën e sotme këta shtetas janë kapur në flagrancë në pikën kufitare të Kakavisë, Gjirokastër duke kaluar në mënyrë të paligjshme drejt shtetit grek, 2 shtetas shqiptare në këmbim të një shume monetare prej 200 euro për person.

Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 automjete, 11 aparate celulare, si dhe 550 euro.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” e kryer në bashkëpunim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb