TIRANË

Klement Balili, njeriu që për dy vite sfidoi nga arratia institucionet ligjzbatuesese, u shfaq i qeshur në kafazin e xhamtë të Gjykatës për Krime të Rënda, duke nisur kështu betejën e tij me drejtësinë shqiptare.

Ish-drejtori i Trasporteve të Sarandës, i njohur me nofkën “Eskobari i Ballkanit” doli përpara gjykatëses Miliana Muca, për t’u njohur me masën e sigurisë dhe katër akuzat zyrtare që prokuroria për Krime të Rënda ka ngritur pas dy vitesh hetime mbi supet e tij.

Njeriu që deri dje ishte në toplistën e të kërkuarve të drejtësisë shqiptare,  akuzohet për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, grup të strukturuar kriminal, fshehje pasurie dhe pastrim parash, të cilat ai i ka mohuar me forcë gjatë procesit.

Seanca gjyqësore e cila ngjalli interesin e madh të medias, ishte e hapur vetëm ne momentet e para, përgjatë të cilave i pandehuri nuk bëri asnjë koment. Në vijim, gjykata i mbylli dyert me kërkesën e prokurorit Ened Nakuci, i cili u shfaq në sallën e gjyqit i mbrojtur nga forcat speciale. Autoritetet nuk bënë te ditur arsyet e shtimit të masave të sigurisë përsonale për prokurorin.

Burimet thanë se gjatë seancës, se prokurori kërkoi mbajtjen në burg të Klement Balilit, ndërsa renditi të gjitha provat e fajësisë kundër ish-zyrtarit të lartë. Kryesisht bëhet fjalë për përgjime telefonike dhe dëshmi të ardhura nga Greqia.

Por, akuzat janë kundërshtuar nga i pandehuri. Përmes avokatëve mbrojtës, ai tentoi të binte gjykatën, që të zbuste masën e sigurisë, duke përdorur si argument thelbësor faktin se është vetëdorëzuar dhe nuk ka me asnjë interes për t’ju shmangur drejtësisë.

E ndërsa debatohej ashpër në sallën e gjyqit, në ambjentet e jashtme të gjykatës,  jashtë dyerve të institucionit qëndronin familjarët e personazhit të shumëpërfolur, në mbeshtetje te tij.

Teksa gjykatësja Miliana Muca u tërhoq në dhomën e këshillimit, Balili qëndroi i qetë në pritje të vendimit. Këto, momente u shfrytëzuan nga gazetarët për të shkëmbyer batuta me të.  Ai shkëmbeu edhe batuta me gazetaret. I pyetur nëse kishte prova kompromentuese për politikanët, sic ka deklaruar ish-ministri I Drejtësisë, Ylli Manjani, Klement Balili prej kafazit të xhamtë, deklaroi se nuk disponon asnjë material të tillë.

Nuk vonoi, që gjykatësja të dilte për të shpallur vendimin, sipas të cilit, la në fuqi masën e sigurisë arrest me burg pasi argumentat e avokatëve ishin të pabazuara.

Jashtë dyerve të gjykatës, avokati Theodhori Sollaku relativizoi punën e prokurorisë, teksa deklaroi se nuk ka prova kundër të mbrojturit prej tij.

Sikurse kishte paralajmëruar në media, Klement Balili u vetëdorëzua mëngjesin e të martës pas shumë negociatash me policinë, e cila dështoi në 13 aksione për kapjen e tij.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ai akuzohet për “Trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, “pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, si dhe për “Pastrim parash”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb