Futbolli shpesh është i padrejtë, duhet edhe shumë fat, pikërisht fakti dhe disa detaje ishin në krah të Realit, me ekipin e Ancelottit që triumfoi në derbin e Madridit duke siguruar një biletë për në fazën çerekfinale, atë ku do të përballen me Arsenal. Reali vinte në këtë akt të dytë me Atletico-n me një avantazh të rëndësishëm 2-1, por në “Metropolitano” ekipi i Simeones i befasoi që në start, që në minutën e parë, ku Gallagher finalizoi një zbritje të shpejt në sulm.

Goli i dha zemër Atletico-s, me Alvarez dhe Grizmann që tentuan në disa momente, por Courtois u kthye në një “mur” të pakalueshëm. Atletico nuk e uli ritmin për asnjë moment as në fraksionin e dytë, por në asnjë rast nuk arritën të gjenin prekjen fituese.

Reali reagoi pak ose aspak në këtë derbi, goditën vetëm 3 herë kuadratin, por në një nga zbritjen e tij të pakta në sulm, Kylian Mbappe fitoi një 11-metërsh në minutën e 70-të. Nga pika e bardhë e penalltisë, Vinicius jr gjuajti jashtëzakonisht keq, me topin që përfundoi te tifozët, duke shpërdoruar një rast të artë për të mbyllur historinë e këtij takimi që në kohën e rregullt, por rezultati mbeti i pandryshuar duke bërë që ndeshja të shkonte në shtesë.

Në këtë pikë, dy ekipet, të konsumuara shumë fizikisht bënë shumë pak duke bërë që fati i derbit të vendosej nga ruleta e penalltive. Diferencën në këtë pikë e bëri gjyqtari i takimit dhe sistemi VAR, me këtë të fundit që e konsideroi të parregullt penalltinë e Alvarez pasi sulmuesi argjentinas e preku dy herë topin përpara se ta dërgonte në rrjetë. Për Atletico-n gaboi edhe Llorente, ndërsa Reali u tregua i sakë në 4 nga 5 penallti, e fundit ajo e Rudiger që i dhuroi Realit kualifikimin për në fazën çerekfinale të Champions League.

“Dhimbje maksimale, Agoni, apo të Pavdekshëm”, ishin disa nga titujt kryesor të mediave spanjolle.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb