Pak mund të pretendojnë se kanë vizituar plazhet me rërë të bardhë dhe xhunglat e harlisura malore të arkipelagut Fernando de Noronha të Brazilit, por kjo nuk është për mungesë tentimesh. Kjo pasi që, sipas një shkrimi të BBC, përcjell Telegrafi, rreth 75 për qind e këtyre 21 ishujve të vendosur kilometra larg bregdetit në veri-lindje të Brazilit u shpallën një park detar kombëtar i mbrojtur dhe “shenjtëror” në vitin 1988 – dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm, lejohen të hyjnë vetëm 420 vizitorë në ditë.

Por ndërsa një udhëtim në këtë “grupim vullkanik” është shumë i kërkuar nga turistët tani, nuk ishte gjithmonë kështu.

Midis shekullit 18 dhe 20, ishulli kryesor u përdor si burg për disa nga kriminelët më të rrezikshëm të Brazilit, thuhet në një shkrim të publikuar nga BBC, përcjell Telegrafi. I përbërë nga një “copë shkëmbi” vullkanik dhe 20 ishuj më të vegjël, ky arkipelag i largët thuhet se u zbulua për herë të parë në fillim të shekullit të 16-të nga detari portugez Fernando de Noronha. Ai u përdor nga të dy forcat e armatosura, ato holandeze dhe portugeze, derisa ishulli i saj kryesor u bë vendi i një burgu në vitet 1700.

Burgu u mbyll në vitin 1957, por disa ish të burgosur nuk u larguan kurrë. Sot, vizitorët mund të shohin ende disa nga mbetjet e burgut në distancë, të cilat janë mbuluar kryesisht nga gjelbërimi. Fernando de Noronha ende konsiderohet i izoluar, megjithëse jo në të njëjtën shkallë siç ishte në të kaluarën. Në fakt, kur Brazili shpalli pavarësinë nga Portugalia në vitin 1822, u deshën dy vjet që lajmi të arrinte në Fernando de Noronha.

Noronha është caktuar një zonë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe konsiderohet shtëpia e zhytjeve dhe surfimeve më të mira të Amerikës së Jugut. Ujërat smerald dhe të ngrohtë “mbështjellin” ishullin, ku mund të gjesh breshka, peshq tropikal dhe thuhet se është vendi me përqendrimin më të lartë të delfinëve në botë.

I lavdëruar gjatë për bukurinë prej një parajse, ishulli u quajt në mënyrë të duhur “Fora do mundo” ose “Jashtë kësaj bote” nga autori brazilian Gastão Penalva. Dhe derisa BBC ka bërë një përshkrim rreth arkipelagut, ky nuk është i vetmi. Një të tillë mund ta gjeni edhe në një webfaqe të quajtur “noronhabookers”, sipas të cilës Fernando de Noronha është i mbushur me një histori të eksploruesve dhe pushtuesve, përcjell Telegrafi. Ndërsa sot njerëzit e Fernando de Noronha janë përqendruar në paqen dhe ruajtjen e mjedisit të tyre, webfaqja në fjalë shkruan se jo gjithmonë ishte kështu – madje ishulli ka një histori të dhunshme.

Në këtë drejtim, kjo webfaqe ka bërë një përshkrim të ngjarjeve historike, duke theksuar se arkipelagu fillimisht u vu re gjatë ekspeditave në fillim të viteve 1500 dhe se emri i parë ishte Ilha da Quaresma ose Lent Island. Njëri nga ata që thuhet të zbuloi ishujt ishte Gaspar de Lemos, një kapiten i anijeve të furnizimit. Ai u kthye në Portugali me lajmet e para për këtë zbulim.

Por, siç thuhet tutje, sot historianët besojnë se ishte Fernao de Noronha i cili në të vërtetë zbuloi këta ishuj diku gjatë viteve 1501-1502. Derisa përshkruan historinë, “noronhabookers” shkruan se në vitin 1736, kishin qenë francezët ata që mbërritën në ishuj. Duke i gjetur bosh dhe të braktisur, ata thuhet se morën kontrollin dhe e riemërtuan arkipelagun Isle Dauphine.

Francezët u hoqën në vitin 1737 nga portugezët të cilët vendosën të forcojnë mbrojtjet e ishujve dhe ndërtuan 10 kalatë. Nëntë kalatë ishin në ishullin më të madh dhe e dhjeta ishte në Ilha de Sao Jose më të vogël. Një sistem rrugor prej guri i lidhi këto kalatë. Më 1770 arritën kolonët e parë dhe formuan fshatin e quajtur Vila dos Remedios. Veç këtyre, “noronhabookersm” shkruan se një burg u krijua në ishull kah fundi i viteve 1800, i cili ishte mbyllur vetëm në vitin 1957, përcjell Telegrafi.

Më 1942 ishujt u bënë një Territor Federativ dhe të burgosurit u hoqën. Një aeroport u ndërtua nga Forcat Ajrore të Ushtrisë Amerikane për të siguruar një lidhje nga Afrika Perëndimore me Brazilin.

Më 1944 juridiksioni iu dha Marinës së SHBA-së. Deri në vitin 1988 shumica e ishujve u shpallën një park kombëtar dhe toka iu shtua shtetit brazilian Pernambuco. Sa i përket të tanishmes, “noronhabookers” vë në pah faktin se sot ekonomia kryesisht varet nga turistët që vizitojnë arkipelagun, i cili sipas Wikipedia ka rreth 3 mijë banorë.

Megjithatë ka kufizime në numrin e turistëve të lejuar në ishull për të parandaluar shkatërrimin e ekuilibrit delikat natyror. Gjithashtu thuhet se shkencëtarët vizitojnë ishullin shpesh për të studiuar florën dhe faunën. Zona u emërua si një zonë e trashëgimisë botërore në vitin 2001 për shkak të rëndësisë së saj si një tokë ushqyese për shumë specie ujore të ndryshme, numrin e madh të delfinëve – dhe si mbrojtje për kafshët e rrezikuara siç janë një lloj i breshkave/Telegraf.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: