Një derbi i çmendur, një Milan i çmendur që vë në jetë një përmbysje që shumë pak veta e imagjinonin. Pavarësisht se në Riad-in e largët, derbit të Madonnina-s nuk i mungoi magjia, përkundrazi rezultoi një sfidë fantastike me 5 gola të shënuar. Sergio Conseiçao shkruan historinë, bëhet trajneri më i shpejt që arrin t’i sjell “djallit” një trofe, i mjaftuan vetëm dy ndeshje për të vënë në jetë një mrekulli të tillë, e të mendosh që likuidoi dy rivalët e përjetshëm, Juve dhe Inter.

Inter vinte në finalen e Superkupës së Italisë me stofin e një ekipi favorit, këtë e vërtetuan shpejt duke marrë kontrollin e lojës, por dalja e Calhanoglu-s në minutën e 35-të ishte një sinjal i fortë. Pavarësisht këtij fakti, zikaltërit kaluan në avantazh në fundin e pjesës së parë, ku Lautaro Martinez me një veprim shumë të bukur në zonë kaloi Inter në avantazh.

Me fillimin e pjesës së dytë, Taremi u vertikalizua bukur dhe me një goditje të saktë dyfishoi shifrat duke krijuar iluzionin se historia e Superkupës së Italisë përfundoi aty, por ndryshe nga se pritej, Milan reagoi fuqishëm. Stafetën e mori i padëshiruari i Fonseca-s, Theo Hernandez me anësorin francez që në minutën e 52-të ekzekutoi një goditje dënimi perfekte duke ngushtuar shifrat në 2-1. Milan ishte dominues dhe në minutën e 80-të, Hernandez dhuroi një assist për Pulisic me amerikanin që nuk fali brenda në zonë duke barazuar shifrat në 2-2. Milan nuk u mjaftua me kaq, por në frymën e fundit, Rafa Leao depërtoi deri në zemër të mbrojtjes zikaltër, futi një top të pastër në zonë, me Abraham që e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë duke bërë që tifozët kuqezi të shpërthenin në festë, me “djallin” që vuri në jetë një përmbysje fantastike.

Me lot në sy festoi edhe Conceiçao, i vetëdijshëm për kryeveprën që vuri në jetë. Nga Asllani tek Inzaghi, të gjithë zikaltërit largohen nga Riad me duart bosh pasi trofeu i parë sezonal i shkoi Milan-it:

  • foto galeri
  • foto galeri

“Milan është i bukur. Leao futet dhe fluturon. 50 trofe për djallin, i pari për Redbird”, shkruan La Gazzetta dello Sport në faqen e parë. “Djallëzor”, ishte titulli i Corriere dello Sport në faqen e parë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb