Tre të rinj kanë tentuar të fusin drogë në burgun e Shënkollit, por janë arrestuar nga policia, që ka zbuluar në kohë planin e tyre.

Të rinjtë janë përpjekur ta fusin drogën në burg me një dron, të cilin e komandonin me telekomandë.

Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e kaluar. Ndërkohë, efektivët e policisë së burgut kanë marrë masa për monitorimin e mjetit fluturues deri në uljen e tij jashtë territorit të burgut, pasi mbante një pako të dyshimtë.

Sipas burimeve, nga kontrolli që i është bërë pakos janë gjetur 3 celularë, 3 karta celularësh, 7 pako me lëndë narkotike, e dyshuar si kanabis sativa.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Burgjeve parandaluan dhe goditën një tentativë të futjes në ambientet e burgut të lëndëve narkotike dhe telefonave celularë me anë të dronit.

Sekuestrohet droni ku në trup të së cilit ishin lidhur 7 pako me canabis sativa dhe tre telefona celularë.

Arrestohen në flagrancë tre shtetas , ku në mjetin e tyre u gjet telekomanda e dronit.

Në orët e vona të mbrëmjes , në rrethimin e jashtëm të burgut të Shënkollit , punonjësit e Policisë së burgut që kryenin shërbim kanë konstatuar se po fluturonte një dron duke hyrë në zonën e ndaluar dhe menjëherë kanë njoftuar Policinë e Lezhës.

Në drejtim të burgut janë nisur forcat e FNSH të Shkodrës të cilat ishin me shërbim në Lezhë si dhe shërbimet e policisë së Lezhës së bashku me grupin hetimor.

Falë reagimit dhe veprimeve të shpejta dhe profesionale u bë e mundur bllokimi i dronit në rrethin e dytë të jashtëm të burgut, ku gjatë këqyrjes në trup të dronit u gjetën të lidhura në një qese plasmasi 7 pako me lëndë narkotike si dhe tre telefona celularë.

Gjithashtu po në vijim të veprimeve tek pjesa e pasme e burgut ne nje distance 1km, Policia e Lezhës dhe FNSH ka konstatuar dhe bllokuar një automjet ku brenda të cilit ndodheshin tre persona.

Gjatë kontrollit në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi telekomandën e dronit që u sekuestrua brenda rrethimit të dytë të jashtëm të burgut, çanta ku futet droni, si dhe tre aparate të tjerë celularë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

M.V. , 28 vjeç banues në fshatin Vrake, Malësi e Madhe, i dënuar më parë për vjedhje

Xh. K. , 25 vjeç, banues në Shkodër,

Xh.L. ,28 vjeç, banues në Bajze ,Malësi e Madhe,Shkodër

Materialet do ti kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkalles së Parë Lezhe për veprat penale “Prodhimi dhe shitje te narkotikeve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim e mbetur ne tentative”

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: