Nga Mero BAZE
Foto e Kryeministrit Edi Rama me Presidentin Trump është thjeshtë një foto. Është protokoll dhe një rit i Presidentit të SHBA me krerët e delegacioneve që marrin pjesë në Samitin e OKB çdo shtator.

Nuk është as foto e lobuar nga Rama, as foto e diskutuar apo e vendosur nga Shtëpia e Bardhë.

Interesi ndaj fotos dhe zhurma banale rreth saj vjen për fat të keq nga përvoja e keqe e kundërshtarëve, nga ata që mendojnë se politika bëhet në foto.

Duke e shqiptarizuar politikën e SHBA dhe duke e përkthyer politikën e Uashingtonit, në kafenetë e Tiranës, kundërshtarët e Edi Ramës e ngritën strategjinë e fitores dhe kthimit të tyre në pushtet në vitin 2017, mbi faktin që Presidenti i ri i SHBA, nuk do t’i flasë me gojë Edi Ramës se e ka pas kundërshtuar në fushatë, dhe se Lulzim Basha i cili pagoi qimet e kokës, duke shkuar tre herë fshehurazi në SHBA, për të dalë në një foto me Trumpin, arriti ta sigurojë atë me pagesë dhe humbi.

Dhe nuk është puna se humbi prej fotos, por fotoja e tij me Trumpin, ngjitja e saj në furgonë nga Tritan Shehu nëpër rrugët e Lazaratit, mbajtja në dorë prej Lulit si hajmali, ishte në një farë mënyre banalizmi i çdo simboli politik amerikan në fushatën shqiptare. Në një farë mënyre u thuhej demokratëve, se kjo fotoja në furgon do na sjellë në pushtet.

Dhe pastaj shkuan dhe përtej fotos. Mitizuan përfshirjen e Edi Ramës në fushatë kundër Trumpit, hynë në beteja qesharake duke shpallur Sorosin armik të Shqipërisë, ndërkohë që është donatori më i madh privat i historisë së arsimit në Shqipëri dhe shoqërisë civile, dhe importuan dhe slloganin e Trumpit për fushatën e tyre.

E gjithë kjo jo vetëm që e banalizoi imazhin e politikës së SHBA në Shqipëri por dhe e dëmtoi atë, pasi e aplikuan si një dështim.

Edhe më qesharake, është detaji që përshkruante New York Times javën e kaluar, për kalvarin e Lulzim Bashës për të gjetur një njeri të Trumpit në SHBA dhe lobisti që u zgjodh për t’u paguar, pyetjen e parë që bëri ishte, “ku bie Shqipëria” dhe nëse “jeni miq të Amerikës apo demokraci ku votohet?”.

Për këtë shkak fotoja e çiftit kryeministror të Shqipërisë me çiftin presidencial amerikan ngjall humor me opozitën. Biles dhe vetë të fotografuarit mezi mbajnë të qeshurit, sikur të jenë duke parë se çfarë ndodh.

Mos u shqetësoni! Ajo foto e Edi Ramës me Doanld Trumpin nuk do të thotë asgjë për Edi Ramën. Për Donald Trumpin, jo e jo.

Por për ju të opozitës, do të thotë shumë dhe është një mësim. Të mos bëheni idiotë, dhe të mos i merrni njerëzit për idiotë, duke i gënjyer me foto me lek. Kjo të paktën është falas. Është e vetmja vlerë në krahasim me atë të Lulzimit që pagoi miliona për ta blerë dhe miliona të tjera për ta shumëfishuar e për ta ngjitur nëpër furgona. Është dhe leksioni më i hidhur që mund të merrni, për të kuptuar se kush ju udhëheq!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb