Një pikturë e Donald Trump e varur krahas portreteve të tjera presidenciale në Kapitolin e shtetit të Kolorados do të hiqet pasi Trump u ankua se ai ishte “shtrembëruar me qëllim”.
Portreti i Trump, një punim i artistes britanike Sarah Boardman, u vendos krahas pikturave të tjera të presidentëve amerikanë.
Në një postim të hënën në mbrëmje, në platformën e tij “Truth Social”, Trump tha se portreti nuk ishte aspak i preferuar i tij. Por, Trump e konsideroi “të mrekullueshëm” portretin e Barack Obamës të vendosur përkrah tij, një punim gjithashtu i britanikes Boardman.

“Askush nuk e pëlqen një pikturë të keqe për veten, por ajo në Kolorado, në Kapitolin e shtetit, e vendosur nga Guvernatori, së bashku me të gjithë presidentët e tjerë, u shtrembërua qëllimisht në një nivel që edhe unë, ndoshta, nuk e kam parë kurrë më parë”, shkroi Trump.
Komentet e Trump të hënën nxitën një fluks të madh vizitorësh të cilët shkuan të bënin fotografi te piktura, përpara se të merrej vendimi për heqjen e saj.
Ndërkohë, artistja Boardman nuk iu përgjigj interesit të gazetarëve dhe një kërkese për koment nga Associated Press. Në intervistat e mëparshme, Boardman ka thënë se ishte e rëndësishme që punimet e saj artistike t’i bënin Obamën dhe Trumpin të dukeshin apolitikë.
“Gjithmonë do të ketë pakënaqësi, qoftë nga njëra palë apo tjetra. Unë e konsideroj një portret neutral dhe jokonfrontues, i lejon secilit të arrijë në përfundimet e veta”, tha Boardman për Colorado Times Recorder, në vitin 2019.
Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve thanë në një deklaratë se piktura do të hiqet me kërkesë të liderëve republikanë. Republikanët e Kolorados mblodhën më shumë se 10,000 dollarë përmes një llogarie GoFundMe për të porositur pikturën, e cila u zbulua për herë të parë në vitin 2019.
Udhëheqësi i pakicës në Senat, Paul Lundeen, një republikan, tha se ai kërkoi që portreti i Trump të hiqej dhe të zëvendësohej nga një “që reflekton ngjashmërinë e tij aktuale”.
(BalkanWeb)