Ishte një emër fiks në tregun e transferimeve, kjo për vetë faktin se në 2 vitet e tij të fundit tek Inter, minutat për Kristjan Asllanin ishin me “pikatore”. Klubi zikaltër mbylli përfundimisht këtë diskutim duke rinovuar kontratën me mesfushorin kuqezi deri në 2028, një lëvizje kjo për të treguar gjithashtu se besojnë shumë tek ai.
Ndryshe nga dy vitet e fundit, këtë sezon Simone Inzaghi i ka besuar më shumë Asllanit, kjo për shkak të kalendarit të ngjeshur, por dhe formës jo të mirë të Calhanoglu, ku disa shqetësime fizike nuk e kanë lejuar në të jetë në maksimumin e tij. Pavarësisht se ka pasur më shumë minuta në dispozicion, Asllani nuk ka shfaqur një rendiment të lartë, ose më saktë nuk ka arritur në asnjë moment të bëjë diferencën. Paraqitja e tij e fundit në derbi, ku u aktivizua në vend të regjisorit turk, ka bërë që mediat por dhe opinioni në Itali të dalin kundër Asllanit.
La Gazzetta dello Sport shkruan se për momentin, Hakan Calhanoglu është lojtari i vetëm i pazëvendësueshëm në radhët e Interit, kjo dhe për faktin se zëvendësuesi i tij, Asllani, nuk është akoma në nivelin e një titullari. Për sa kohë Calhanoglu ishte në fushë, Milan goditi vetëm 3 herë kuadratit, ndërsa pas minutës së 64, kur vendin e tij e mori Asllani, 13 topa shkuan në zonën e Sommer.
Në 3 sezonet e fundit, në 69 ndeshje, me Calhanoglu në fushë Inter ka pësuar mesatarisht 0,8 gola për ndeshje, ndërsa kanë shënuar 2,1 gola. Pa Calhanoglu, kanë pësuar mesatarisht 1,1 gola për ndeshje dhe kanë shënuar 2. La Gazzetta shton se problemi më i madh është fakti që Calhaoglu nuk është në formë, i takon Inzaghi-t të menaxhojë si duhet turkun pasi kalendari do të jetë asfiksues.
(BalkanWeb)