Si i përcolli qeveria shqiptare nëpërmjet gazetës “Bashkimi” ngjarjet e gushtit të vitit 1949 ku në kufirin jug-lindor forca të shumta qeveritare greke të përbëra prej disa divizionesh sulmuan me të gjitha llojet e armëve forcat komuniste partizane greke të komanduara nga gjeneral Markos Vafjadhis, duke i ndjekur ata deri në brendësi të tokës shqiptare, si në fshatrat Bozhigrad, Vidohovë, etj. Revoltat dhe protestat deri tek kryetari i OKB-së që u bënë nga populli i Tepelenës, Bashkimi i Grave dhe Sindikatat e Shqipërisë të kryesuara nga Pilo Persiteri, si dhe vizitat e Enver Hoxhës në spitale te ushtarët e plagosur duke i dekoruar ata për trimëritë e treguara në vijën e frontit….

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Si sot 70 vjet më parë, më 2 gusht të vitit 1949, disa reparte e divizione të ushtrisë qeveritare greke, të mbështetura nga artileria dhe aviacioni luftarak, sulmuan me zjarrin e armëve të tyre në disa pika të kufijve jug-lindorë të Republikës Popullore të Shqipërisë në rrethet e Korçës dhe Kolonjës. Si rezultat i atyre sulmeve të ndërmarra prej tyre, forcat qeveritare të ushtrisë greke, të cilat Tirana zyrtare i etiketonte si monarko-fashiste, mundën të hynin disa herë me qindra metra në thellësi të tokës shqiptare, si në fshatin Bozhigrad, sektorin Vidohovë etj., ku ato u ndeshën me rezistencën e rojeve shqiptare të kufirit dhe forcave të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit që ishte instaluar prej kohësh në rrethin e Korçës. Ai konflikt i armatosur ndërkufitar, i cili zgjati për më shumë se një muaj me radhë dhe ku pati me qindra të vrarë e të plagosur (si nga pala shqiptare dhe ajo greke), nga historiografia shqiptare dhe propaganda e regjimit komunist të para viteve ‘90-të është njohur si: Provokacionet e gushtit 1949, dhe si e tillë ajo ngjarje ka mbetur edhe në memorien historike të shqiptarëve në disa breza. Por, a ka qenë realisht kështu? Pra, a kanë qenë vërtet provokacione të grekëve dhe Athinës zyrtare ngjarjet e gushtit 1949? E vërteta rreth kësaj enigme është bërë publike vetëm pas viteve ‘90, kur me hapjen e arkivave sekrete dhe dokumenteve të shumta zyrtare të shtetit shqiptar, si dhe nga dëshmitë e mjaft personave dhe personazheve të njohur, aktorë kryesorë apo periferikë të atyre ngjarjeve të ndodhura plot 70 vjet të shkuara, u bë e mundur të hidhet dritë dhe të ndriçohen tërësisht “Provokacionet e gushtit”. Veç të tjerash, mbi ato ngjarje ka dëshmuar publikisht dhe ka hedhur dritë edhe koloneli në pension, Myftar Tare, ish-zv/ministër i Punëve të Brendshme dhe drejtor i Zbulimit me Jashtë në Sigurimin e Shtetit në vitet 1945-1948, i cili personalisht ka drejtuar operacionin sekret “Aksioni 10”.

Ai operacion, i cili vazhdoi për gati pesë vjet me radhë në vitet 1945-1949 (kohë që zgjati dhe lufta civile në Greqi në mes forcave të ushtrisë qeveritare nacionaliste dhe atyre komuniste të udhëhequra nga Partia Komuniste greke, e kryesuar nga Niko Zahariadhis dhe komandanti ushtarak i atyre forcave partizane, gjenerali Marko Vafjadhis), kishte të bënte me ndihmën, furnizimin, financimin, strehimin e gjithçka tjetër që regjimi komunist i Enver Hoxhës u jepte forcave komuniste greke. Jo vetëm kaq, por gjatë gjithë atyre viteve që vazhdoi lufta civile në Greqi, krerët kryesorë të Partisë Komuniste të Greqisë strehoheshin në vila luksoze në Tiranë, duke u pritur në takime nga krerët më të lartë të Tiranës zyrtare. Po kështu edhe mali i Gramozit dhe zona të tjera në brendësi të kufirit shtetëror në zonën e Korçës dhe Kolonjës ishin kthyer në baza të ushtrisë partizane greke të Marko Vafjadhisit dhe aty ishin ngritur edhe disa spitale ushtarake ku kuroheshin dhe mjekoheshin partizanët grekë.

Si rezultat i gjithë këtyre, të cilat Athina zyrtare e asaj kohe i konsideronte “ndërhyrje zyrtare në punët e brendshme të saj” në gushtin e vitit 1949 ajo i sulmoi forcat partizane greke deri në pozicionet e tyre të fundit, në malin e Gramozit. Dhe i ndoqi ata edhe brenda territorit shqiptar, ku partizanët grekë u tërhoqën për t’u shpëtuar sulmeve shkatërrimtare të forcave qeveritare greke. Si rezultat i atyre ngjarjeve dhe luftimeve të ashpra në malin e Gramozit, qeveria komuniste e Tiranës u hapi kufijtë, duke i strehuar partizanët grekë në territorin e saj. Më pas ata u sistemuan në disa kampe që u ngritën enkas në disa rrethe të vendit, deri në afërsi të Tiranës dhe më vonë u lejuan të largoheshin në vendet e tjera komuniste të Evropës Lindore, kryesisht në Bashkimin Sovjetik, i cili ishte dhe aktori kryesor që kishte

mbështetur e financuar komunistët grekë në përpjekjet e tyre për të ardhur në pushtet me forcën e armëve. Ndërsa këto ngjarje tashmë janë bërë të njohura pas viteve ’90-të, në këtë shkrim po publikojmë se si u përcollën ato nga Tirana zyrtare dhe shtypi i saj, duke botuar disa nga artikujt dhe shkrimet e gazetës “Bashkimi” të periudhës gusht-shtator 1949.

Në Gramoz në një front vetëm prej 14 km. monarko-fashistët grekë hedhin 4 divizione

Radio-Greqia e Lirë transmetoi Komunikatën e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Demokratike të Greqisë, të shkruar më 25 Gusht 1949. Komunikata thekson se monarko-fashistë qysh prej orës 21 të datës 24 Gusht filluan ofensivën në Gramoz duke futur në veprim pesë divizione këmbsorie, pesë batalione artilerie fushore, tre bateri topash kalibri të madh, gjashtë bateri artilerie malore dhe me tërë aviacionin e tij të furnizuar nga Amerika. Në sulm muarën pjesë gjithashtu edhe reparte të blinduara. Armiku për të arritur rezultate të shpejta dhe pa marrë parasysh sakrificat hodhi sipas urdhrit të amerikanëve katër nga pesë divizione që muarën pjesë në sulmin në një front të vogël prej 14 kilometrash nga Arapidhes Mitroviliti deri në Ginova.

Repartet t’ona, thekson komunikata, nga pozicionet e tyre të fortifikuara dhe me përkrahjen e artilerisë dhe të armëve të rënda përballuan me trimëri dhe qëndresë të pamposhtur zjarrin e aviacionit dhe të topave të armikut që hodhi përmbi 90 mijë predha dhe i mbytën në gjak sulmet e përsëritura të armikut. Perrenjtë e Janohorit, Manopulit, Arapidhes, Carnes, Mitroviliti, u mbushën me gjakun e qindra ushtarëve të vrarë dhe të plagosur. Të rënda janë sidomos humbjet e divizionit të nëntë monarko-fashist në sektorin Pasojarika. Në sektorin Mitrovilitis Arapidhes repartet e divizionit të 15 monarko-fashist që depërtuan në drejtim të Arapidhes, u çkëputën dhe u shpartalluan me ndërhyrjen e menjëhershme të reparteve të ushtrisë demokratike që kundërsulmuan. Në Gramozin Lindor armiku hodhi peshën e këmbsorisë, artilerisë dhe aviacionit, ku lufta mori një karakter shumë të ashpër. Mbrojtësit e Caemos, Gasi, Vido, Karaumi, Papuli, Cangos, dhe të pozitave të tjera i shkaktuan armikut humbje të përgjakëshme. Humbjet e armikut në sulmet e përgjakshme të lart-permendura janë; 1232 të vrarë dhe 3612 të plagosur dhe 70 robër. Robërit thonë se një pjesë e madhe e

oficerëve dhe ushtarëve monarko-fashistë që hodhën amerikanët në këtë kasaphanë të paparë ndonjëherë u vranë ose u plagosën. U rrëzuan katër aeroplanë, u ç’katëruan pesë topa, tre autoblinda, dhe shumë motoçikleta të armikut. Në Gramozin perëndimor dhe qendror, armiku veproi me divizionin e tetë. U thyen tre sulme të armikut, në Alia Kamenik dhe Agjo Kristofor të Pirnojanit. Repartet e po këtij divizioni që sulmuan në drejtim të Krisive, Zerma dhe Pijadhica, u thyen dhe u ndoqën përtej Sarantaporos me humbje të ndjeshme. Humbjet e armikut në këto luftime janë 140 të vrarë dhe 492 të plagosur. Nën humbjet e mëdha të armikut, ofensiva e tij e datës 24 dhe 25 gusht pushoi në ora 17, pasi vazhdoi 20 orë, thekson komunikata.

Repartet e ushtrisë demokratike që veprojnë në zonën e Xhumarka-Kozaka goditën dy batalione armike që vepronin në drejtim të zonës së Monzaro. Armiku pati 25 të vrarë dhe 45 të plagosur. U zunë armë dhe municione. Ofensiva e armikut në Mbellës vazhdon: repartet e ushtrisë demokratike i bëjnë ballë armikut. Një repart i ushtrisë demokratike i avancuar goditi ne befasi me mortaja me bateri artilerie fushore dhe grumbullim automobilash në kampin Plamidhis. Humbjet e armikut në luftimet e djeshme të Mbellas janë 35 të vrarë dhe 65 të plagosur. U zunë shumë armë dhe gjë lufte. Humbjet e armikut në luftimet Putimnik-Rumeshëm më datën 22 gusht qenë 45 të vrarë dhe 70 të palgosur.

Deklarata e oficerëve grekë të zenë robër

Oficera monarko-fashistë të kapur rob deklarojnë se kanë shkelur tokën shqiptare më urdhër të komandës së tyre më të lartë.

Tiranë 20 (ATSH) Sikurse dihet më datën 3 gusht në sektorin e Leskovikut u kapën nga forcat tona të kufirit brenda tokës sonë nëntogerët e ushtrisë monarko-fashiste Manolis Trunilas, Styerios Kostnadinis, dhe Skuras Dhimitrisa. Që të tre këta oficerë në deklaratat e tyre që kanë lëshuar kur u kapën rob njoftojnë se janë urdhëruar prej Komandës së tyre më të lartë të shkelnin tokën tonë. Ja deklarata e nëntogerit Manolis Trulinos.

Deklaratë

I nënshkruar Manolis Trulinos i biri i Aleksandrit dhe i Marijes, lindur në Irakli të ishullit Kretës më 1920 dhe me banim në Athinë Greqi, me profesion oficer me gradën N/Toger, komandant i togës së 11-të Kompanisë së I-rë

batalionit 627, Brigadës 74, Divizionit VIII-të Monarko-Fashist, deklaroj sa më poshtë:

Më datën 1.5.1949, duke qenë së bashku me kompaninë në vendin e quajtur Amarantos, me urdhër të Komandës së Batalionit 627 të marrë verbalist prej komandantit Major Papadhojorgos Janis, i cili mbasi shpjegoi planin operativ të sulmit kundër forcave të U.D.G të vendosura në Malin e Kamenik ku ndahet kufiri shqiptaro-Grek, si dhe udhëzime të tjera në lidhje me veprimet ushtarake, më së fundi na autorizoi që në se nuk ka mundësi që të merret Kameniku nga toka jonë (Greke), të sulmoni rojet shqiptare të kufirit dhe të hyni në tokën shqiptare duke ju dalë forcave të U.D.G. nga mbas krahëve.

Majori Papadhojorgos tha që në këtë mënyrë (d.m.th. të përdorni tokën shqiptare), sa herë që t’ua dojë nevoja dhe ta shinim ne të arsyeshme për të arritur objektivin e sulmit. Me këtë urdhër u nisëm së bashku me repartet tona që ishin në vendin e permendur më lartë për në drejtim të Kamenikut; këtu mbasi ramë në përpjekje me partizanët dhe nuk ishte e mundur që të arrihej objektivi i caktuar, atëhere vepruam sipas urdhrit të komandës dhe kështu më datën 3.5.1949 në kohën që unë me togën time hyra brenda kufirit shqiptar, në një thellësi prej 130 metrash ndalem nga rojet shqiptare dhe mbasi qëllojmë duke shtënë ne të parët, rojet shqiptare sulmuan dhe na shpartalluan. Në këtë kohë unë duke u shkëputur nga reparti jem u kapa rob nga forcat e kufirit shqiptar.

Deklaruesi (Manolis Trulinos)

Po në këtë mënyrë deklarojnë edhe dy nëntogerët e tjerë.

Populli dhe organizatat e masave protestojnë pranë UNO-s kundra provokacioneve monarko-fashiste

Tiranë (ATSH). Kryesia e Bashkimit të Përgjithshëm Sindikal. Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm të B.G.SH. dhe populli i Tepelenës i dërgon këtë telegram, zotit Trygve Lie, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në lidhje me provokacionet e monarko-fashistëve kundër vendit tonë.

ZOTIT TRYGVE LIE LAKE SUCCES NEW YORK

Në një kohë kur klasa jonë punëtore i është përveshur punës së saj paqësore për të rindërtuar shkatërrimet e rënda që na la okupacioni nazi-fashist dhe për të ndërtuar jetën e saj paqësore, forca t’armatosura të Qeverisë monarko-fashiste të Athinës para disa ditësh kryen sulme kriminale

kundër dhe të poshtra kundër integritetit të vendit t’onë duke treguar edhe njeherë akoma qëndrimin armiqësor të qeveritarëve të Athinës karshi vendit dhe popullit tonë paqe-dashës, si dhe fytyrat e tyre të provokatorëve të një lufte të re në mes popujve. Me qindra numërohen aktet kriminale që monarko-fashistët kryejnë kundra vendit t’onë. Që nga mitralimi i grave dhe foshnjave të qeta, që nga bombardimi i fshatrave, goditjet kundra buqve t’anë që punojnë në tokat e tyre pranë kufirit e deri në sulmet e fundit në shkallë të gjerë kundër integritetit toksor dhe sovranitetit kombëtar të republikës s’onë Popullore, e provojë pa asnjë dyshim se këtë politikë kriminale dhe të paramenduar të monarko-fashistëve t’Athinës, prapa së cilëve vepron dora e gjakosur e nxitësev të një lufte të re, të imperialistëve amerikano-englezë. N’emër të klasës punëtore të Shqipërisë protestojmë energjikisht kundra këtyre akteve kriminale dhe agresive që shkelin në mënyrë barbare parimet e larta të kartës së Kombeve të Bashkuara dhe venë në rrezik paqen dhe sigurimin ndërkombëtar dhe shpresojmë se Organizata e Kombeve të Bashkuara do t’a denoncojë këtë akt banditizmi dhe kriminal n’opinionin përparimtar ndërkombëtar duke ndërhyrë njëkohësisht se vepra të tilla të kurdisura nga arsenal;i i fashistëve gjakatarë kundra indipendencës dhe integritetit toksor të Republikës s’onë Popullore të marrin fund.

PËR KRYESINË E BASHKIMIT PËRGJITHSHËM SINDIKAL TË SHQIPËRISË

PRESIDENTI PILO PERISTERI

Protesta e Bashkimit të Grave të Shqipërisë

ZOTIT TRYGVE LIVE LAKE SUCCES NEW YORK

Me indinjatë të thellë gratë e vendit tonë mësuan provokacionet e 2 Gushtit, këtë akt agresiv e kriminal, të kryer në kufijtë t’onë të jugut nga monarko-fashistët e Athinës, gjatë së cilës mbetën të vrarë, duke mbrojtur heroikisht kufijtë e Atdheut t’onë dy oficerë dhe katër ushtarë. Nënat dhe gratë e Shqipërisë e ngrenë lart zërin e tyre të akuzës kundër këtyre provokacioneve, me të cilat shkelet integriteti toksor i Republikës Popullore të Shqipërisë dhe kërkohet të pengohet populli i jonë në veprën e tij paqësore për forcimin e demokracisë.

Po na digjen shtëpitë e rindërtuara me mundin e përpjekjet e mëdha dhe po na vriten djemtë t’anë, ata që me heroizmin e tyre të pashembullt çliruan Atdheun nga okupatorët dhe e mbrojnë sot nga çdo armik. N’emër të 280.000 anëtarëve të B.G.SH protestojmë energjikisht pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe kërkojmë të t’u jepet fund një herë e mirë këtyre akteve agresive që shkelin në mënyrë barbare integritetin toksor të Republikës Popullore të Shqipërisë, shkelin principet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe kanë për qëllim prishjen e paqes dhe sigurimit ndërkombëtar.

PËR KRYESINË E KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM TË B.G.SH.

PRESIDENTJA NEXHMIJE HOXHA

Populli i Tepelenës proteston te Kryetari i OKB-së

Ne populli i rrethit të Tepelenës të Shqipërisë, të mbledhur në varrimin e Kapiten Memo Nexhipit nga katundi Dukaj i këtij rrethi që u vra në sulmin agresiv të forcave t’ushtrisë së Qeverisë s’Athinës të bërë më 2 Gusht në sektorin e Bozhigradit, protestojmë energjikisht dhe indinjohemi thellësisht për këto shkelje brutale të sovranitetit të vendit t’onë nga ana e Qeverisë s’Athinës, e cila po bëhet shkaktare dhe po vë në rrezik paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ne kemi para syve tanë kufomën e bashkëfshatarit t’onë Kapiten Memo Nexhipi, dhe që nga kjo ceremoni funebre kërkojmë nga Ju zoti Sekretar i Përgjithshëm që të ndërhyni t’u jepet fund këtyre provokacioneve të që po kryen sistematikisht dhe Qeverija e Athinës të vihet para përgjegjësisë së rëndë për këto akte agresive dhe kriminale që po kryen kundra vendit t’ionë.

POPULLI I KRAHINËS SË TEPELENËS SHQIPËEI

Enver Hoxha u dorzon dekoratat të plagosurve në spital

Komandanti Suprem i Forcave t’Armatosura Gjen-Kol. Enver Hoxha viziton ushtarët e plagosur në përpjekjet me monarko-fashistët grekë

Tiranë (A.T.SH). Sot në orën 11 Kryetari i Këshillit të Ministrave dhe Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura të R.P. të Shqipërisë, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha, i shoqëruar nga gjeneral-leitnant, Mehmet Shehu, nga Nd/Shef i Shtatmadhorisë t’Ushtrisë Popullore, kolonel Nexhip Vinçani, e nga N/Drejtori i Drejtorisë Politike të Ushtrisë

Popullore, Kolonel Sadik Bekteshi, vizituan ushtarakët e plagosur duke mbrojtur kufijtë e atdheut t’onë nga agresionet e monarko-fashistëve grekë në sektorin e Bilishtit dhe atë të Leskovikut të bërë këto kohët e fundit. Me këtë rast Gjeneral-kolonel Enver Hoxha u dorëzoi të plagosurve nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Porsa Komandanti hyri në sallë të plagosurit e pritën me duartrokitje dhe brohoritje entuziaste. Të gjithë kërkuan të ngriheshin nga krevatët dhe fytyrat u qeshnin nga gëzimi duke parë udhëheqësin e dashur të popullit t’onë dhe Komandantin e tyre. Komandanti kaloi prej një krevati në tjetrin duke i takuar të gjithë pa përjashtim. Në të gjithë përqafohej dhe bisedonte duke i pyetur se ku janë plagosur, si kanë luftuar etj. Është për t’u admiruar kurajoja e ushtarëve të plagosur të cilët shprehnin para Komandantit me vendosmëri për të mbrojtur kufijtë e Atdheut, indipendencën t’onë, lirinë e popullit dhe paqen. Ata ishin kryelartë për plagët që kishin marrë sepse në këtë mënyrë i kishin shërbyer atdheut si duhet. Këtë kënaqësi ia çfaqnin me gojën e tyre Komandantit.

Ushtari i plgosur Ramazan Dauti duke biseduar me Komandantin që i ishte ulur në krevati thotë: “Kemi ushtri të mirë shoku Komandant, shokët kanë luftuar heroikisht. I pashë monarko-fashistët se sa të dobët ishin, i kemi vënë përpara si lopët duke i nxjerrë jashtë tokës s’onë”. Reshteri Emin Sulaj i plagosur në dorë i tha kështu Komandantit: “Ia dhashë gishtin Partisë dhe popullit tim, hallall i qoftë? Jam gati të jap edhe jetën për këtë popull që s’donte t’ia dinte predhave të monarko-fashistëve e të bombave të aeroplanëve amerikanë. Populli i fshatrave pranë kufirit kishte besimin më të madh tek neve se shihte në to mbrojtësit e vet. Duke e përqafuar rreshterin Emin Sulaj, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha i tha kështu: “Populli ynë e don Atdheun e vet, e don lirinë dhe paqën.

Ju keni treguar heroizma, keni luftuar mirë për të mbrojtur lirinë e popullit t’onë dhe paqën”. “Kemi kryer detyrën shoku komandant”, kjo ishte përgjigjia e të plagosurve. Nikoll Çupi nga Mirdita tha: “Ne nuk i përzihemi kujt në shpi, ata t’Athinës na shqetësuan në konak t’onë por ne nuk mujtëm me qëndrue me duer lidh dhe e treguam se kush jemi. Ushtari Ali Ajazai nga Dibra që ka humbur në këtë luftim një këmbë, ndërsa puthte komandantin i tha: “Nuk më dhimbet këmba që humba, nuk jam dëshpëruar aspak, për popullin e jap edhe jetën”. “Nga të tërë anët e Shqipërisë keni qenë atje për të mbrojtur Atdheun t’uaj” u thotë Komandanti të plagosurve. Pasi Komandanti vizitoi me rradhë të gjithë të plagosurit e shtruar në spital duke u përqafuar dhe biseduar me ta në sallën kryesore mbajti një

fjalim që u ndërpre shpesh herë nga brohoritjet entuziaste t;ushtarëve: “Enver, Enver jemi gati kurdoherë”. “Rroftë P.P.P.SH”, “Rroftë Bashkimi Sovjetik dhe Stalini i Madh”, etj. Mbas fjalimit të Komandantit, N/Drejtori i Drejtorisë Politike, Kolonel Sadik Bekteshi lexoi vendimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor për dekorimin e ushtarëve të plagosur për mbrojtjen e Atdheut. Pastaj Kryetari i Këshillit të Ministrave dhe Komandant Suprem i Forcave të Armatosura të R.P. të Shqipërisë, Gjeneral-Kolonel, Enver Hoxha u dorëzoi të gjithë të plagosurve dekoratat duke ua vendosur në kraharor secilit. Duke u përqafuar me ta ai u thoshte: E mbajtshi me nder” Komandanti, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha u largua nga spitali i përcjellë nga duartrokitjet e vazhdueshme të të plagosurve./ Tema

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb