Është e pamundur që Real Madrid të gabojë dy ndeshje radhazi, aq më tepër në “Bernabeu” përballë publikut të tyre. Ekipi i Carlo Ancelottit thyen pastër 3-0 Valladolid, një ndeshje ku tekniku italian u detyrua të ndryshonte edhe një herë skemë në mungesë të Bellingham, duke kaluar Mbappe në qendër të sulmit, por ylli francez vijon të mos jetë në kushte perfekte, duket shumë larg asaj që tifozët presin.
Reali hasi pak vështirë gjatë pjesës së parë, ku Vinicius jr-Rodrygo dhe pjesa tjetër e fazës ofensive nuk u lidhën mirë në zonë. Me fillimin e pjesës së dytë ishte Valverde që me një goditje të fortë gjeti devijimin me fat duke kaluar Realin në avantazh.
“Mbretërorët” e kishte të vështirë të mbyllnin ndeshjen, madje Ancelotti ndërhyri në formacion duke larguar mes të tjerëve edhe Mbappe për t’i bërë vend Endrick. Në minutën e 88-të, Diaz u shkëput bukur dhe me një parabël të ëmbël dyfishoi shifrat.
Në fund, më minutën e 96-të, stadiumi shpërtheu në festë pasi Endrick realizoi golin e tij të parë me fanellën e Realit, një gol shumë i bukur nga talenti brazilian që sigloi shifrat në 3-0.
Mediat spanjolle pranë Real Madrid, festuan për golin e shënuar nga Endrick: “Ky djalosh është një top”, shkruan AS në faqen e parë. Feston për golin e Endrick edhe Carlo Ancelotti, i cili shtoi ndër të tjera se nuk ka presion në lidhje me zgjedhjet që duhet të bëjë:
“Endrick është shumë i zoti, goli i shënuar tregoi cilësitë e tija. Është një sulmues potent, një pykë. Nuk kam asnjë presion, të gjithë janë gati për të shfrytëzuar çdo minutë që i jepet”, theksoi Ancelotti në konferencë për shtyp.
Një fitore të pastër 3-0 siguroi edhe Atletico Madrid përballë Girona. Griezmann, Llorente dhe Koke realizuan për ekipin e Simeones. Pas javës së dytë, La Liga kryesohet nga Celta Vigo dhe Barcelona me 6 pikë të plota.
(BalkanWeb)