PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM BERAT
Kultivonin kanabis në një stan, me kërkesë të Prokurorisë Berat arrestohen 5 persona nën hetim për ‘Prodhim dhe shitje e narkotikëve’ dhe ‘Kultivim i bimëve narkotike’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Skrapar arrestuan në flagrancë shtetasit V.B., D.B., Gj.M., E.M. dhe F.M. nën hetim për kryerjen e veprës penale ‘Prodhim dhe shitje e narkotikëve’ parashikuar nga nenet 283/3 dhe 284/2 të Kodit Penal.
Më datë 15.10.2024, kjo prokurori mbi bazën e materialit të referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat, regjistroi procedimin penal nr.616, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve‘ dhe ‘Kultivim i bimëve narkotike’. Nga kqyrja e vendit të ngjarjes u konstatuan 37 bimë narkotike të dyshuara ‘canabis sativa’ dhe në hyrje të parcelës në një stan u kap në flagrancë shtetasi E. M.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe e stanit në pronësi të shtetasit Gj.M., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 thasë të tjerë me bimë të prera në proces tharje në trajtë boçe dhe kërcenj të dyshuara si ‘canabis sativa’.
Bazuar në hetimet e deritanishme dhe nisur nga rrezikshmëria shoqërore e veprës penale, shkallën e nevojave të sigurimit, marzhin e dënimit, rëndësinë e faktit dhe rrezikshmërinë e të arrestuarve, rezultoi se plotësohen kushtet për caktimin e masave të sigurimit personal të karakterit shtrëngues të cilat parashikohen nga nenet 228, 229 te K.Pr.Penale, dhe konkretisht ajo e “Arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit te Procedurës Penale.