Anija e Marinës Libra, e cila u nis nga Brindisi me 40 emigrantë në bord dhe u drejtua për në Gjader, qendra e ndalimit dhe riatdhesimit të ngritur në Shqipëri nga qeveria italiane, mbërriti në portin e Shëngjinit.
Bëhet fjalë për shtetas të nacionaliteteve të ndryshme që kanë mbërritur në CPR në Brindisi ditët e fundit. Vendimi erdhi pas miratimit të dekretit të 28 marsit që lejon transferimin jo vetëm të azilkërkuesve të përgjuar në det, por edhe të emigrantëve të parregullt, të cilëve komisariati i policisë u ka dorëzuar dekretin e dëbimit.


Fillimisht emigrantët do të akomodohen përkohësisht në qendrën pritëse në Gjadër, ku do të qëndrojnë deri në përfundimin e procedurave për riatdhesimin e tyre.
Qendrat e financuara nga Italia në Shqipëri u krijuan fillimisht për të kryer procedura të përshpejtuara të identifikimit dhe riatdhesimit për emigrantët meshkuj të rritur nga të ashtuquajturat “vende të sigurta” të shpëtuar në det.
Megjithatë, vendimet e gjykatave deri më tani kanë bllokuar zbatimin e plotë të këtij modeli, duke penguar funksionimin e objekteve.
Kampi i Gjadrit, që aktualisht ka një kapacitet total prej 48 vendesh, por që do të zgjerohet në 144 në muajt në vijim – do të presë emigrantët që janë subjekt i urdhrave të ndalimit të vlefshëm ose të zgjatur për riatdhesim, sipas ligjit italian.
(BalkanWeb)