Jo vetëm në kampionat, por edhe në Evropë. Në ndeshjen e dytë radhazi, Ernest Muçi zbriti si titullar për Beshiktash, me talentin kuqezi që e nisi nga minuta e parë përballë Frankfurt, por për fat të keq ekipi i tij pësoi një humbje të rëndë 3-1 brenda në shtëpi.
Muçi qëndroi në fushë për 90-minuta dhe sipas “SofaScore”, faqes së specializuar për statistikat, rezultoi lojtari i dytë më i vlerësuar në radhët e Beshiktash, nota 7,2. Shifrat e Muçit ishte thuajse perfekte, 1 assist, 36 në 36 pasime të sakta, 3 driblime të suksesshme nga 5 tentativa.
Pavarësisht shifrave dhe formës së shfaqur, Muçi u vërshëllye nga tifozët, por në krah të tij doli trajneri Giovani van Bronckhorst: “Nëse dikush mendon se nuk dhamë paraqitjen tonë më të mirë, këto njerëz nuk duhet të vijnë më në stadium. Është situatë e pazakontë për mua, një situatë e vështirë. Kishte sharje dhe reagime gjatë ndeshjes, nuk e kuptoj dhe dikush duhet të ma shpjegoj këtë pasi ne kemi bërë një nga ndeshjet më të mira”, u shpreh trajneri i Beshiktash.
Një situatë krejtësisht e kundërta ndodhi me Nedim Bajramin në ndeshjen e dytë në Europa League. Pavarësisht se ekipi i tij Rangers pësoi një humbje të rëndë 4-1 brenda në Skoci nga Lyon, fantazisti kuqezi mori duartrokitjet e tifozëve. Në fakt, edhe sipas “SofaScore”, Nedim Bajrami ishte lojtari më i vlerësuar në radhët e Rangers, nota 7,4.
(BalkanWeb)