Policia e Kosovës, në kuadër të operacioneve në veri të vendit, ka realizuar një aksion të suksesshëm në Banjskë të Zveçanit, ku ka zbuluar dhe sekuestruar një armë antitank të tipit Zolla.
Sipas njoftimit të policisë, aksioni ka ndodhur sot (26 mars 2025) rreth orës 15:05, kur njësitet policore kanë arritur të gjejnë armën e prodhimit serb, Zolla M-80, me kalibër 64 mm, në malet e fshatit Banjskë.
Në vendin e ngjarjes kanë qenë edhe njësitet speciale të policisë, të cilat trajtuan armën si një mjet eksploziv. Arma është sekuestruar si dëshmi materiale, dhe hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar hapjen e hetimeve për rastin për “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.