Spanja nuk gabon dy herë radhazi, nuk gabon përballë Zvicrës duke marrë 3 pikët e para në Ligën e Kombeve. “Furia e kuqe” tregoi të gjithë potencialin e saj sulmues duke siguruar një fitore me “poker” golash, një sukses 4-1 në transfertë, por përtej shifrave kjo nuk ishte një ndeshje kaq e lehtë.
Në aksionin e parë, në minutën e 4-ët, Yamal dhuroi një assist për Joselu që me kokë dërgoi topin pak mbi vijën fatale, gol i konfirmuar nga gol-line. Zvicra iu përgjigj 3 minuta më pas duke barazuar shifrat në 1-1, por gjyqtari i takimit anuloi gjithçka me ndihmën e sistemit VAR për prekje të topit me dorë në sulm. Ritmi i lojës ishte shumë i lartë pasi në minutën e 13-të, Fabian Ruiz dyfishoi shifrat. Për të ndërlikuar këtë transfertë për Spanjën mendoi Le Normand i cili u ndëshkua me karton të kuq pas një faulli si lojtari i fundit ndaj Embolo. Zvicra përfitoi nga epërsia numerike duke ngushtuar shifrat në 2-1 në fundin e pjesës së parë.
Spanja jo vetëm që u mbrojt me fanatizëm, por në minutën e 77-të Fabian Ruiz realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për Spanjën. Me Zvicrën të hedhur përpara, Spanja përfitoi me Ferran Torres i cili finalizoi me gol një kundërsulm të shpejtë duke sigluar shifrat në 4-1.
Suksesi ndaj Zvicrës solli festë në të përditshmet spanjolle: “Një Spanjë për notën 10”, shkruan Marca.
Shijon këtë fitore edhe trajneri Luis de la Fuente: “Jam krenar për këta djem, bënë një punë të shkëlqyer. Të gjithë sakrifikuan, veçanërisht pasi mbetëm me 10 lojtarë. Mund të kishte qenë një fitore më e thjeshtë, por vuajtjen e bëjnë dhe më të bukur këtë triumf”, u shpreh trajneri i Spanjës në konferencë për shtyp.
(BalkanWeb)