Partia Demokratike e Shqipërisë po feston sot 34-vjetorin e themelimit të saj, në një aktivitet ku pjesëmarrës janë kryetari Sali Berisha, deputetë të Grupit Parlamentar, drejtues politikë nga mbarë vendi, si dhe qindra simpatizantë.
Në nisje të takimit, një mesazh i Ervin Salianjit nga burgu u transmetua në ceremoninë e 34-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, ku ai theksoi se do donte të ishte me ta në këtë ditë të rëndësishme, duke vënë theksin se demokratët duhet të jenë në betejë.
Në ceremoni u theksua gjithashtu rëndësia historike e kësaj partie, e cila u themelua më 11 dhjetor 1990 si forca e parë opozitare pas rënies së regjimit komunist. Në ato momente kyçe për vendin, Partia Demokratike simbolizoi aspiratën e shqiptarëve për liri, demokraci dhe ndryshim.
Në fjalën e tyre, figura të Partisë Demokratike, vlerësuan kontributin e partisë ndër vite, duke përmendur rolin e saj në proceset demokratike dhe transformimin politik të Shqipërisë, teksa u shprehën optimistë për sfidat e ardhshme dhe ripërtëritjen e vizionit për të ardhmen. Kremtimi i 34-vjetorit ishte një moment reflektimi mbi rrugëtimin e gjatë të Partisë Demokratike, duke mbetur një pikë referimi në historinë e tranzicionit demokratik të Shqipërisë.
(Balkanweb)