MEDVEGJË – Dje në Preshevë dhe Bujanoc, qytete të banuara me shumicë shqiptare u ngrit flamuri kombëtar dhe u festua 28 Nëntori sikurse në Vlorë, Tiranë, Prishtinë, Ulqin, Shkup e Tetovë.

Por në Luginën e Preshevës, Dita e Flamurit nuk u festua në të gjitha vendbanimet shqiptare, sidomos në Medvegjë, ku policia serbe ka ndërhyrë në shkollën e mesme “Nikola Tesla” dhe ka arrestuar disa nxënës shqiptarë të cilin kishin ngritur një flamur kombëtar në shkollë, njofton agjencia e lajmeve “Presheva jonë”.

Në mesin e nxënësve të arrestuar ka qenë edhe djali i Zv.kryetarit të Kuvendit të Medvegjës, 15-vjeçari Armend Sahiti. Nxënësit shqiptar janë marrë në pyetje në rajonin e policisë serbe të Medvegjës dhe u janë kërkuar sqarime për ngritjen e flamurit shqiptar në këtë shkollë.

“BalkanWeb” ka siguruar edhe një kopje të procesverbalit të firmosur nga 15-vjeçari shqiptar në rajonin e policisë serbe ku ai pranon se e ka ngritur flamurin shqiptar me rastin e festës së Ditës së Flamurit. Ndërkohë prindërit kanë deklaruar për mediat lokale se fëmijët e tyre janë penguar nga ora e mësimit si edhe janë dhunuar gjatë mbajtjes për rreth 2 orë në rajonin e policisë.

Ndërhyrja e forcave policore serbe në këtë shkollë të Medvegjës dhe shoqërimi i fëmijëve shqiptarë në rajonin serb të policisë ka shkaktuar panik dhe reagime ndër shqiptarë si dhe tek autoritet lokale në këtë komune.

Nënkryetari i Kuvendit të Medvgjës, Florim Sahiti, ashtu edhe zëvëndëskryetarja e Komunës së Medvegjës Leme Xhema, kanë reaguar dhe kanë dënuar me ashpërsi këtë akt të policisë serbe ndaj fëmijëve shqiptarë për shkak të mbajtjes së simboleve kombëtare shqiptare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb