Në varrezat e Koçanit dëgjoheshin vetëm të qara dhe lutje. Varrimi filloi në mesditë. Ceremoninë mortore e shërbeu kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit, Kryepeshkopi Stefan, me anëtarë të Sinodit.
Një numër i madh të rinjsh erdhën në varreza të veshur me bluza të zeza me mbishkrimin: “U prehni në paqe engjëjt tanë”. Mes tyre, kryesisht të rinj, kishte familjarë, të afërm, bashkëqytetarë dhe qytetarë të shumtë të ardhur nga i gjithë vendi.
Sipas raportimeve të mediave, që nga orët e para të mëngjesit një lumë njerëzish ka mbërritur tek varrezat, të cilat sigurohen nga një numër i madh efektivësh.
Ende po bëhen homazhe për viktimat e zjarrit në qytetet e vendit, si dhe në kryeqytet, ku u ndezën qirinj në sheshin qendror të qytetit Maqedonia.
Ekipet e emergjencës në shërbim në varreza është dashur të ndërhyjnë disa herë .
Arkivolet me trupat e viktimave u sollën në vendin ku do të varroseshin dhe në momentin që u vendosën arkivolet, heshtja vuajtëse u thye nga të qarat e të gjithë të pranishmëve.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur sot emrat e të 59 personave të vdekur nga zjarri, të cilët ishin të moshës nga 16 deri në 48 vjeç.
Gjashtë prej tyre ishin 16 dhe 17 vjeç, dhe shumica ishin 24 deri në 26 vjeç.
Këngëtari i grupit DNK, Andrej Gjorgjevski , u varros në ora 10:00 në varrezat e qytetit në Butelo, Shkup.
Gati 200 persona u plagosën nga zjarri katastrofik, dhjetëra prej të cilëve pësuan djegie të rënda. Rreth njëqind prej tyre po trajtohen jashtë vendit.
Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari tha sot se të gjithë pacientët e lënduar nga zjarri katastrofik në Koçan , të cilët po trajtohen në Maqedoninë e Veriut dhe jashtë saj, janë në gjendje stabile dhe të mirë.
Ai gjithashtu bëri të ditur se daljet e planifikuara nga spitalet do të fillojnë nesër.
(Balkan Web)