TIRANË

Protesta e sotme e opozitës së bashkuar është pasqyruar edhe në mediat e huaja.  Agjencia prestigjioze e lajmeve “Associated Press” raporton se mijëra protestues që përkrahin opozitën rrethuan këtë të martë Kuvendin duke kërkuar qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.

Ajo pohon mes tjerash se në protestë pati ndezje fishekzjarrësh dhe djegie gomash, por gjithçka u mbyll në formë paqësore dhe protestuesit u shpërndan.

“Mijëra protestues që përkrahin opozitën shqiptare rrethuan të martën parlamentin shqiptar, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme. Ata akuzuan kabinetin për korrupsion dhe lidhje me krimin’, shkruan “Associated Press”.

Kjo protestë gjeti pasqyrim edhe përtej Adriatikut, ku media italiane ‘ANSA’ vë po ashtu theksin tek hedhja e shashkave, djegien e gomave si dhe tek thirrjet e protestuesve për largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Qindra agjentë policie kanë rrethuar parlamentin ku zhvillohet seanca vetëm me praninë e mazhorancës. Opozita ka hequr dorë nga mandati i deputetëve të saj prej dy javësh”, shkruan ANSA.

Kjo media nuk ishte e vetme në pasqyrimin e zhvillimeve të fundit të politikës shqiptare, e cila po kalon një krizë institucionale  ku opozita ka heqë dorë nga mandatet, ndërsa kërkon zgjedhje të parakohshme dhe largimin e Ramës. Agjencia  tjetër e lajmeve italiane “NOVA” shkruan se manifestimi  i protestuesve  shqiptarë është i katërti në pak javë.

“Është manifestimi i katërt radhazi brenda pak javëve, gjatë të cilëve janë regjistruar përleshje me policinë, e cila ka përdorur lakrimogjenë për të shpërndarë turmën”, shkruan ajo.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi janë shprehur se e vetmja rrugë për të nxjerrë Shqipërinë nga kjo gjendje e vështirë është largimi i menjëhershëm i kryeministrit Edi Rama.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb