Arsenal “çmonton” Real Madrid në aktin e parë, këtë e bëjnë me një rezultat fantastik, të pastër 3-0, duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimin për në fazën gjysmëfinale të Champions League. As tifozi më fanatik i Arsenal nuk e kishte imagjinuar një rezultat të tillë, një ndeshje të tillë, ku “topçinjtë” iu imponuan Realit me lojë dhe rezultat. Njeriu i ndeshjes ishte Declan Rice, autor i një “dopiete” të çmendur, dy gola thuajse fotokopje nga goditja e dënimit.

Në “Emirates”, Arsenal mori menjëherë kontrollin e lojës duke krijuar disa raste, por portieri Courtois iu kthye në pengesë. Pas një pjese të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, Rice në minutën e 58-të ekzekutoi një goditje dënimi të shkëlqyer duke kaluar Arsenal në avantazh. Të shtyre dhe nga tifozët, “topçinjtë” spostuan Realin në gjysmëfushë duke “bombarduar” portën e Courtios, me madrilenët që ishin me shumë fat, madje Alaba shmangu një gol të sigurt pak mbi vijën fatale.

Nëse goli i parë ishte shumë i bukur, i dytë i Declan Rice ishte spektakolare, me mesfushorin anglez që gjeti trekëndëshin në minutën e 70-të duke dyfishuar shifrat. Arsenal nuk u mjaftuan me kaq, por pesë minuta më vonë, Merino me një goditje të saktë brenda në zonë trefishoi shifrat. Në fund, Reali mbeti edhe me dhjetë lojtarë pasi Camavinga u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Spektakli i Arsenal “pushtoi” faqet e para të mediave angleze, ku në foton e parë ishte heroi i këtij takimi, Declan Rice.

I ndryshëm është diskutimi në Spanjë, me mediat që janë të ndara: “Të turpëruar”, shkruan Mundo Deportivo. “Të detyruar për një tjetër mrekulli”, shkruan AS, me të përditshmen spanjolle që beson te përmbysja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb