Emigrantët e parë nga Egjipti dhe Bangladeshi mbërritën mëngjesin e kësaj të mërkure në Portin e Shëngjinit. Anija “Libra” me 16 refugjatë, meshkuj të rritur, të shpëtuar në det të hapur u ankorua në port. Emigrantët të shoqëruar nga autoritetet policore italiane janë futur në qendrën e pritjes brenda portit për të vijuar më pas me dërgimin e tyre në Gjadër ku edhe janë ngritur njësitë akomoduese. Nis kështu zbatimi i marrëveshjes së përfolur mes Italisë dhe Shqipërisë për refugjatët e vendeve të treta.
Anija patrulluese “Libra” e marinës italiane u nis drejt Shqipërisë dy ditë më parë për të mbërritur sot me grupin e parë me 16 emigrantë, 10 nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti në qendrat e ngritura për t’iu nënshtruar procedurave të përshpejtuara kufitare.
Gazetari Renaldo Salianji i cili ndoqi hap pas hapi mbërritjen e anijes së parë me emigrantë raportoi për “BalkanWeb” se qendra pritëse është e ngritur brenda portit të Shëngjinit. Ka forca të shumta policie dhe një numër i madh personash në bord, përveç emigrantëve.
Punonjësit e portit të Shëngjinit janë ata që kanë asistuar për ankorimin e anijes. Emigrantët do të qëndrojnë rreth 8 orë në qendrën pritëse ku do të marrin shërbimet e para, do të ndërrohen, do t’iu nënshtrohen kontrolleve mjekësore dhe më pas do të dërgohen në kampin e Gjadrit në pritje të procedimit të kërkesës për azil.
Në kampin e Gjadrit do të qëndrojnë në pritje për 28 ditë. Nëse refuzojnë të kthehen në vendet e tyre, në rastet kur refuzohet dhe kërkesa për azil ata do të qëndrojnë në disa dhoma burg në kampin e Gjadrit.
“Derisa çështja të marrë një përgjigje nga gjykatat e ngritura në kamp, ata do të qëndrojnë në qeli. Deri në fazën përfundimtare, pritet të jenë rreth 3 mijë emigrantë që do të qëndrojnë në kampin e Gjadrit njëkohësisht. Numri i emigrantëve varet dhe nga flukset emigratore që mbërrijnë në shtetit fqinj. Në të gjithë procesin dhe në kamp janë shumë institucione italiane të përfshira, dhe uniformat e karabinierëve, GDF, policia, policia gjyqësore, e burgjeve, policia speciale etj”, raportoi Salianji.
Para nisjes në bord u krye një kontroll fillestar i personave që do të transferoheshin, që ishin shpëtuar në det, për të verifikuar nëse ata plotësojnë kërkesat e përcaktuara në protokoll: me origjinë nga vende të sigurta, meshkuj, jo të cenueshëm. Në krye të nismës është Ministria e Brendshme italiane.
Pasi anija mbërrin në portin e Shëngjinit, emigrantët e mbetur do të zbresin dhe do t’i nënshtrohen një kontrolli të dytë më të thelluar në pikën e nxehtë. Më pas ata do të transferohen në Gjader, ku janë tre struktura të dorëzuara vetëm më 9 tetor në Ministrinë e Brendshme italiane për testim: një qendër për ndalimin e azilit të aplikantëve me 880 vende (nga të cilat vetëm 400 janë gati deri më sot, më pak se gjysma), një CPR me 144 vende dhe një burg i vogël me 20 vende.
Sipas protokollit të nënshkruar nga Giorgia Meloni dhe Edi Rama, azilkërkuesit do të marrin një përgjigje brenda katër javësh.
Nëse përgjigja është pozitive ata do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali, ndryshe do të kthehen në vendin e tyre të origjinës.
(BalkanWeb)