Në orën 16.00 në SRF janë dhënë rezultatet paraprake të zgjedhjeve për Parlamentin e Zvicrës, që janë mbajtur sot. Ajo që shihet qartë në këto rezultate është rritja e madhe e të gjelbërve, përkatësisht dy partive të gjelbra GP dhe GLP.

Nga ana tjetër, humbësit e këtyre zgjedhjeve janë SVP dhe SP, dy partitë më të mëdha të vendit. Rezultatet paraprake të sapopublikuara janë si vijon:  Grünen (të Gjelbrit) shtojnë praninë  e tyre në parlament për 5.6 për qind (pothuaj dyfish), GLP, për 2.9 dhe CVP, 0.4%. nga ana tjetër, SVP humbet 3.1%, SP, 2.4% dhe FDP 1.2%.

Kështu, sipas rezultatave të publikuara, SVP tani ka 26.3%, SP 16.5%, FDP 15.2% Grüne 12.7%, CVP 12%, GLP 7.6% etj. Rezultatet i ka përgatitur institucioni për hulumtimin e opinionit, GFS Bern, shkruan albinfo.ch.

Ajo që është paralajmëruar në pothuaj të gjitha sondazhet, “rrëshqitja nga e gjelbra” ka ndodhur madje më bindshëm se që është pritur, shkruan albinfo.ch. Ndërkohë, vihet re se fitoren më të madhe dy partitë ambientaliste  (GP dhe GLP) e kanë arritur “në kurriz” të Partisë Socialdemokrate (SP), kur dihet se elektorati i SP-së është i afërt me atë të GP-së, si parti të kampit të majtë që janë të dyja. Po ashtu edhe partia më e madhe e vendit SVP ka humbur në saje të ngritjes në nivel të lartë të axhendave ambientaliste kohëve të fundit. Si parti e djathtë konservative, SVP qartazi ka ngelur mbrapa  nga ky aspekt.

Rezultatet Zgjedhje 2019 Ch 752x1024
Rezultatet Zgjedhje 2019 Ch 752×1024

Një rënie të vogël e ka pësuar edhe Partia Liberale (FDP), e cila po ashtu duket se nuk ka qenë në nivel të kërkesave ambientaliste që kanë përcaktuar fituesin e këtyre zgjedhjeve/Albinfo.ch

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: