SHKODER
Policia e Shkodrës njofton se ka sekuestruar një pistoletë dhe 30 fishekë ushtarakë, duke parandaluar kështu një ngjarje të mundshme kriminale.
Uniformat blu të qytetit verior njoftojnë se kanë arrestuar një person, i cili lëvizte me pistoletë dhe dyshohet se do ta përdorte armën në ngjarje të rëndë kriminale.
Njoftimi i policisë:
Shkodër
Policia e Shkodrës parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale.
Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje.
Qarkullonte me armë zjarri në brez, me fishek në fole gati për qitje, vihet në pranga 43-vjeçari.
Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe 30 fishekë luftarak.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave “Për krijimin e një ambienti sa më të sigurt për festat e fundvitit, parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri” strukturat e Policisë së DVP Shkodër kanë shtuar prezencën e shërbimeve policore në territor duke ushtruar kontrolle të befasishme, bazuar këto edhe në informacionet e marra nga qytetarët.
Si rezultat i këtyre kontrolleve dhe informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në brez, në rrugën “Isuf Sokoli”, të lagjes “Kongresi i Përmetit”, të qytetit Shkodër, Forcat e Posaçme “Shqiponjat” të DVP Shkodër, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme kanë bërë të mundur lokalizimin, identifikimin dhe bllokimin e shtetasit të dyshuar, konkretisht:
- K., 43 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër. Gjatë kontrollit fizik, Policia i gjeti këtij shtetasi në brez një armë zjarri pistoletë, me një fishek në fole gati për qitje dhe 29 fishekë të tjerë të vendosur në dy krehra. Arma e zjarrit dhe municioni luftarak u sekuestruan nëe cilësinë e provës materiale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, qëllimit të qarkullimit me pistoletë me fishek në gojë, pasi nga të dhënat e marra në rrugë operative dyshohet për përfshirje në një ngjarje të mundshme kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, në ngarkim të shtetasit E. K., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
(d.xh/ Balkanweb)