Ndaj Andorra fitorja ishte detyrim, çdo përfundim tjetër do të zbehte ëndrrën kuqezi ende pa filluar mirë, por Sylvinho dhe të besuarit e tij zhvilluan një ndeshje perfekte, “thyen” pastër 3-0 Andorrën duke mbajtur të gjallë objektivin për të kualifikuar për herë të parë në një Botëror. Sigurisht, as Anglia e aq më pak Andorra, nuk ishin rivalët ideal për të kuptuar forcën reale të këtij ekipi, por në “Arenën Kombëtare” djemtë kuqezi dhuruan emocione pozitive, zhvilluan një futboll të kënaqshëm ku pa diskutim këtë herë faza ofensive funksionoi.
Është e qartë që me Brojën në fushë, Shqipëria ka një armë më shumë, është më e bukur për t’u parë, më e rrezikshme. Ndryshe nga e kaluara, Sylvinho këtë herë tregoi guxim teksa solli një formacion shumë ndryshe, uli në stol Ramadanin duke i besuar një fanellë titullari Juljan Shehut, për herë të parë uli në stol Jasir Asanin duke spostuar Brojën në të djathtë të sulmit, ndërsa Arbër Hoxha dhe Rey Manaj formuan pjesën tjetër të tredhëmbëshit ofensivë.
Ndaj Andorrën, Shqipëria bëri Anglinë, këtë e vërtetojnë edhe shifrat, kishim 85% kontrollin e topit, krijuan 15 raste, goditën 7 herë kuadratin, ndërsa Andorra nuk na kërcënoi në asnjë moment, zëra raste, zero goditje.

Njeriu i ndeshjes ishte pa diskutim Rey Manaj, me “bomberi” kuqezi që realizoi dy gola shumë të bukur, fillimisht u shërbye nga Asllani, ndërsa më pas mori një assist të pastër nga Broja. Në fund, ishte Myrto Uzuni ai që firmosi në golin e tretë. Falë këtij suksesi, Shqipëria mbetet në lojë dhe i lëshon një sinjal të qartë Serbisë, rivalit të radhës.

“Fitore për ëndrrën. Kuqezinjtë mundin Andorrën në një ndeshje që nuk pati histori”, shkruan Panorama Sport, gazeta më e madhe sportive në vend.
(BalkanWeb)