Pas 10 fitoreve radhazi, atëherë kur dukej e pamundur të ndalej Barcelonën, ekipi i Hansi Flick bie aty ku më pak pritej, në transfertë përballë Real Sociedad. Kjo ishte një mbrëmje jo për Lewandowski-n me shokë, duket e paimagjinueshme, por në 90 minuta nuk goditën asnjë herë kuadratin.
Kjo ishte një sfidë që prodhoi një rast të pastër për moviolë, golin e anuluar të Lewandowski-t që në minutën e 12-të, ku vetëm maja e këpucës ishte përtej vijës, por sipas mediave nuk ishte këmba e polakut.
Përtej këtij episodi, Sociedad nuk “vodhi” asgjë, kaloi në avantazh në minutën e 33-të me Becker, por rezultati mund të ishte edhe më i thellë pasi shpërdoruan disa raste të pastra për gol. Flick provoi në çdo formë të shmangte këtë humbje, por kjo ishte një transfertë ku gjithçka shkoi keq, mbi të gjitha në fazën ofensive, ku e kishin të pamundur të filtronin në prapavijën e ngjeshur të Sociedad.
Kjo ishte humbja e dytë në 13 javë në La Liga, por sërish qëndrojnë në krye, plus 6 pikë në raport me Real Madrid, me ekipin e Ancelottit që ka një ndeshje më pak, atë kundër Valencias. Humbja e Barçës, por mbi të gjitha rasti i golit të anuluar mori vëmendjen e mediave spanjolle.
Ndryshe nga mediat, Flick nuk preferoi të bëjë moviolë, apo t’ia faturonte humbjen atij goli të anuluar: “Nuk ishte dita jonë. Duhet të pranojmë rezultatin, ata luajtën me vendosmëri, kjo është e qartë, nuk ka justifikime, nuk krijuam raste mjaftueshëm. Përgjegjësia është e jona. Gjithsesi, ecuria deri në këtë pikë ka qenë fantastike, unë e vlerësoj atë që skuadra ka bërë deri më tani”, u shpreh Flick.
Një fitore të rëndësishme këtë javë siguroi edhe Atletico Madrid, me ekipin e Simeones që mposhti Mallorca në transfertë me rezultatin 0-1. Golin trepikësh e realizoi Alvarez në minutën e 61-të.
(BalkanWeb)