Numri i të vdekurve nga sulmi në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg tani është rritur në pesë, sipas transmetuesit publik gjerman ARD.
ARD po raporton gjithashtu se mbi 200 persona janë lënduar, një rritje e konsiderueshme nga shifra e mëparshme mbi 60. Megjithatë, ne nuk jemi ende të sigurt se sa të rënda janë këto lëndime.
“Krishtlindjet në Magdeburg kanë mbaruar”, thotë këshilltari i qytetit të Magdeburgut.
Këshilltari i qytetit të Magdeburgut për rendin publik, Ronni Krug, thotë se tregu i Krishtlindjeve do të qëndrojë i mbyllur dhe se “Krishtlindjet në Magdeburg kanë mbaruar”, sipas transmetuesit publik gjerman MDR.
Ministria e Brendshme njoftoi gjithashtu këtë mëngjes se ndërtesat zyrtare në shtetin gjerman të Saksonisë-Anhalt, ku Magdeburg është kryeqyteti i shtetit, tani do të valojnë flamujt në gjysmështizë për nder të të vrarëve në sulm./BBC/
Kush është autori?
Psikiatër, ateist, urrente islamin, lindur në Arabinë Saudite, mendonte të shpëtonte Gjermaninë nga islamizimi…ja makina që kreu sulmin -kush është i dyshuari për sulmin në tregun e krishtlindjeve dje në Magdeburg?
Sioas informacioneve të para, Taleb A. , i dyshuari i arrestuar për sulmin në Magdeburg ishte mjek 50-vjeçar i psikiatrisë dhe psikoterapisë në Bernburg. I lindur në Arabinë Saudite, qytetin Hufuf, erdhi në vitin 2006 në Gjermani për shkollim. Në vitin 2016 iu njoh azili politik Ai ka qenë prej vitesh aktivist, me një faqe interneti ku ofronte informacione për azilin në Gjermani dhe këshillonte gratë nga Arabia Saudite, si të largoheshin nga vendi.
Në platformën X ai shprehte urrejtje të hapur për islamin dhe e quante veten “kritikun më agresiv të islamit në histori”.
I dyshuari shprehte simpati për partinë, AfD në Gjermani, që në pjesë të saj është e provuar si ekstremiste e djathtë. Taleb A. ëndërronte për një projekt të përbashkët me AfD, të ngrinte një akademi për ish-myslimanët, dhe shkruante në platformën X: “Kush tjetër e lufton islamin në Gjermani?”.
Po në platformën X ai shkruante se “Gjermania do të islamizojë Europën”. Në një intervistë para 8 ditësh në një blog amerikan armiqësor ndaj islamit, ai ka përhapur teza konspirative. Shteti gjerman po zhvillon një “operacion të fshehtë sekret” për të përndjekur ish-myslimanët sauditë dhe për të shkatërruar jetën e tyre.
Në të njëjtën kohë xhihadistët sirianë kanë marrë azil në Gjermani, sipas Taleb A. Nuk ka qenë i njohur për autoritetet si ekstremist.
(BalkanWeb)