GREQI

Një 22-vjeçar shqiptar është arratisur nga burgu në Greqi. Ai është Albion Xhezairi nga Ksamili, një person që konsiderohet shumë i rrezikshëm nga policia i akuzuar për vrasje e trafik droge.
Xhezairi ishte dënuar në Greqi me 16 vjet burg pasi më 11 maj 2017 është kapur në lagjen “Galtasi” në Athinë. Ai ishte përfshirë në nje grup kriminal të trafikut të drogës nga Shqipëria në Greqi. Roli i tij ishte të vinte nga Athina në kufirin e gjelbër, merrte drogën dhe e magazinonte atë në banesën që kishte me qira në Athinë për ta shitur më pas. Kontrolli në banesë i zbuloi atij mbi 3 kg 800 gram marijuanë, 1 pistoletë, 1 thikë dhe 1 peshore.

Ndërkohë ai është në kërkim në Sarandë dhe vazhdon gjykohet në Gjykatën e Sarandës për vrasje. Konkretisht, më 24 shtator 2016 ai ka vrarë në Shëndëlli të Sarandës, 47-vjeçarin Aleksandër Bardhi.

Vrasja e Bardhit ishte e pa paramenduar nga tre të rinjtë. Ata u nisën nga Ksamili për të vjedhur disa bimë “cannabis sativa” në një parcelë që kishin zbuluar në fshatin Shëndëlli. Të armatosur rëndë me 3 kallashnikovë, ata u përballën me Aleksandër Bardhin që po futej në parcelë me mjetin e tij.

Teksa Dhimitër Çiko dhe Amarildo Lame ishin larguar për tek varka që i kishte transportuar deri aty, Albian Xhezairi qëndroi duke qëlluar me breshëri mbi mjetin që po vinte e duke lënë të vdekur Aleksandër Bardhin.

Disa ditë më vonë policia vuri në pranga vetëm Çikon dhe Lamen, ndërkohë që Xhezairi vazhdon të jetë person në kërkim. Por ngjarja nuk përfundoi me kaq.
Në 30 tetor 2016, babai i Albian Xhezairit, Agroni, gjeti një sasi lëndë plasëse të llojit tritol me celular në automjetin e tij. Bomba nuk kishte arritur të plaste dhe ajo u çaktivizua nga forcat RENEA.

Por paralajmërimi nuk do të mbetej kaq për të, pasi më 11 dhjetor 2016, 53-vjeçari Agron Xhezairi u vra në një pritë teksa po hynte në banesën e tij. Ai u qëllua me “Kallashnikov” nga një distancë e shkurtër dhe mbeti i vdekur në vend, në një ngjarje që ende nuk është zbardhur.

Ndërsa në 19 gusht, është vrarë në Ksamil, Vangjel Ciko, babai i Dhimitrit. Ndërsa familja Lame nga fshati Shalës i Sarandës, është larguar nga Shqipëria dhe është marrë në mbrojtje nga shteti. Albiano Xhezairi konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Ndërsa familja Bardhi, ku ai ka kryer vrasje, konsiderohet një nga familjet më me influencë ne rrethin e Sarandës. Vëllai i Aleksandrit, Petriti ka qenë Kryetar i Komunës Kaçinar në Mirditë, ndërsa vëllai tjetër Floriani është biznesmen dhe aktualisht Këshilltar në Bashkinë Konispol. Albian Xhezairi dyshohet të ketë kryer dhe vrasje në burg në Greqi dhe konsiderohet pjesë e “Mafies se Koridhalos”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb