Daniela Shirka, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka kaluar sot sitën e vettingut, duke u konfirmuar në detyrë. Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia relator, Genta Tafa (Bungo) dhanë vendimin në favor të Shirkas.


Në disa foto të publikuara nga LSA shihet se Shirka është emocionuar shumë nga vendimi, pasi Komisioni konstatoi mungesë burimesh në blerjen e një apartamenti në vitin 2012 si dhe ngriti pikëpyetje mbi mundësinë financiare të një huadhënësi, që gjithashtu kishte kontribuar me 2 milionë lekë në blerjen e apartamentit. Në fotot në fjalë shihet se si gjyqtarja është përqafuar për të pranishëm në sallë, ndërsa shfaqet e përlotur.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë 07.11.2019 për subjektin e rivlerësimit, znj. Daniela Shirka, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më datë 08.11.2019, vendosi:


Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Daniela Shirka, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda


Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga znj. Valbona Sanxhaktari, z. Roland Ilia relator, znj. Genta Tafa (Bungo) anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve. Ndaj këtij vendimi, mund të ushtrohet ankimim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, thuhet në vendimin e KPK-së.

Po sot gjykatësja Shirka duhet të ishte në procesin kundër Arbër Çekaj, biznesmenit të bananeve i akuzuar për 613 kg kokainë të gjetur në kontejnerë në portin e Durrësit. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se pas konfirmimit në detyrë, Shirka ka shkuar e buzëqeshur dhe e qetë në gjykatën e Krimeve të Rënda, megjithatë seanca është shtyrë për disa arsye të tjera.

Ndërkohë, në detyrë sot u konfirmua edhe Artur Kalaja, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb