TIRANË

“BalkanWeb” zbardh detaje të rënda nga ekzekutimi mafioz i 46-vjeçarit Bardhok Pllanaj, mbrëmjen e kaluar në Shkodër. Mbi makinën e Pllanajt, i njohur si një prej të fortëve të Shkodrës me nofkën “Kumbari”, janë dërguar mbi 120 plumba automatiku. Mbi 20 plumba përfunduan në trupin e viktimës, duke e lënë të vdekur në vend. Kjo është një prej vrasjeve më të mirëorganizuara në Shkodër dhe më të bujshmet e realizuar nga krimi i organizuar.

Një makinë tip “Pasat”, me targa italiane, ka pritur poshtë shtëpisë së tij në hyrje të rrugës Shkodër-Koplik Bardhok Pllanajn, i cili sapo ka hipur në mjet, pas pak metrash, është qëlluar me breshëri automatiku. Janë dy persona, të cilët me automatik kallashnikov rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme kanë qëlluar pa pushim Bardhok Pllanajn, i cili ndodhej në një mjet tip “Range Rover”, ngjyrë e zezë.

Autorët e kanë qëlluar nga makina në ecje e sipër objektivin e tyre, duke e ndjekur për rreth 150 metra dhe duke mos e lënë që të lëvizë. Pasi ka humbur kontrollin e mjetit nga plumbat që ka marrë në trup, mjeti i viktimës është përplasur në oborrin e një pike lëndë ndërtimi, duke përfunduar aty. Autorët paralel me mjetin e 46-vjeçarit kanë qëlluar përsëri në drejtim të tij, duke u siguruar plotësisht se nuk ka pasur asnjë shans që të shpëtojë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Mendohet se dy autorët kanë shprazur të paktën nga dy karikatorë kallashnikovi me nga 32 plumba secili. Menjëherë pas vrasjes, autorët ende të paidentifikuar janë futur në një rrugicë dytësore pak metra nga vendi i ngjarjes në aksin Shkodër-Koplik, duke djegur mjetin e tyre dhe duke u larguar në drejtim të paditur. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, duke nisur hetimet paraprake për këtë vrasje të bujshme në Shkodër, por deri më tani nuk ka asnjë lloj dyshimi lidhur me autorët e mundshëm apo porositësit e kësaj vrasje, pasi ka një dyshim se ky ekzekutim mund të jetë bërë me pagesë.

Bardhok Pllanaj njihej si një prej personazheve të fortë në Shkodër, i cili disa herë ka pasur probleme me drejtësinë, por i ka shpëtuar. Gjithashtu, 46-vjeçari ishte një personazh me lidhje të forta me drejtësinë dhe politikën, por mbante raporte edhe me individë apo grupe të tjera kriminale. Kjo vrasje ka prishur balancat dhe mund të hapë një seri tjetër ngjarjesh të rënda kriminale në Shkodër. Mbrëmjen e djeshme në hetime mori pjesë edhe drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Tonin Vocaj, rreth kësaj vrasje të bujshme. Deri më tani nuk ka persona të shoqëruar, pasi policia për momentin nuk ka asnjë dyshim. Kjo vrasje për momentin është një mister i plotë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb