3 ndeshje 9 pikë të plota, Liverpool konfirmon se janë ata rivali kryesor i Man.City, të paktën ky është projeksioni i këtij fillimi sezoni në Premier League. Ekip i Slot është thjesht perfekt, 7 gola të shënuar 0 të pësuar. Statusi i tyre si favorit përforcohet akoma më shumë pas suksesit të pastër 3-0 në transfertë përballë Man.United.
Në “Old Trafford”, të kuqtë ishin shpërthyes duke shfrytëzuar në maksimum gafat e United, më saktë dy gafa të pabesueshme nga Casemiro. Në minutën e 35-të, Luis Diaz me kokë realizoi golin e parë, ndërsa në minutën e 42-të, sërish pas një gafe të brazilianit në mesfushë, Diaz realizoi golin e dytë personal.
Historia nuk ndryshoi as me fillimin e pjesës së dytë, ku sërish një top i humbur në mesfushë solli dhe golin e tretë për Liverpool, me Salah që nuk fali. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund me Liverpool që del me tre pikë nga kjo transfertë.
Humbja e pësuar nga Man.United nuk është pritur mirë nga mediat angleze të cilat nuk u kursyen, mbi të gjitha ndaj Casemiro-s, protagonist i një mbrëmje të tmerrshme. E ka të vështirë të gjejë fjalët e duhura pas një humbje të tillë trajneri Ten Hag:
“Nuk është se unë jam Harry Potter. Është e vështirë të flasësh për gjera pozitive pas një humbje të tillë, më vjen keq, më vjen keq mbi të gjitha për tifozët. Kjo është vetëm ndeshja e tretë, na duhet kohë pasi po ndërtojmë një skuadër të re. Jam i sigurt se deri në përfundim të sezonit do të kemi mundësi për të ngritur trofe”, u shpreh Ten Hag pas humbjes.
(BalkanWeb)