Ukraina njoftoi se forcat e armatosura kishin kapur rob dy ushtarë nga Koreja e Veriut, në rajonin Kursk të Rusisë. Menjëherë pas arrestimit ata janë marrë në pyetje nga shërbimet e inteligjencës ukrainase Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky publikoi në rrjetet sociale pamjet e ushtarëve koreanoveriorë.
“Ashtu si me të gjithë të burgosurit e luftës, dy ushtarëve të Koresë së Veriut po iu ofrohet ndihma e nevojshme mjekësore”, tha Zelensky në platformën e mediave sociale ‘X’. “Kjo nuk ishte një detyrë e lehtë: forcat ushtarake ruse dhe të tjera të Koresë së Veriut ekzekutojnë në mënyrë rutinore të plagosurit e tyre për të eliminuar çdo provë të përfshirjes së Koresë së Veriut në luftën kundër Ukrainës”, shtoi presidenti ukrainas.
Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) publikoi video që supozohet se tregon ushtarët koreanë. Në video, zëdhënësi i SBU thotë se njëri prej koreano-veriorëve u kap më 9 janar nga forcat speciale ukrainase dhe tjetri nga parashutistët ukrainas.
“Ata po mbahen në kushte të përshtatshme që plotësojnë kërkesat e ligjit ndërkombëtar”, tha ai.
Në video shihen dy ushtarët të shtrirë në një qeli. Njëri ka një plagë në nofullën e tij. Asnjëri nuk dëgjohet të flasë, ndërsa një mjek thotë se ushtari i dytë ka një këmbë të thyer.
Zëdhënësi i SBU tha se “komunikimi me ta bëhet përmes përkthyesve në gjuhën koreane”, në bashkëpunim me shërbimin e inteligjencës të Koresë së Jugut.
11 mijë ushtarë nga Koreja e Veriut në front?
Gjatë 2024, mësohet nga burime inteligjente se Moska dërgoi rreth 11.000 ushtarë koreanoveriorë në Kursk për të mbështetur forcat ruse në rajon, i cili është pjesërisht nën kontrollin e forcave ukrainase që nga gushti.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha në deklaratën e fundit nga Kievi se ofensiva e Kurskut ishte e rëndësishme në parandalimin, rigrupimin dhe ridrejtimin e trupave ruse në Donetsk dhe rajone të tjera në Ukrainën lindore dhe jugore.
(BalkanWeb)