Dy persona janë shpallur në kërkim nga policia pasi dyshohet të jenë autorë të vrasjes së ish-zyrtarit serb Oliver Ivanoviçit. Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës me autorizim të Prokurorisë Speciale ka publikuar fotografitë e dy të dyshuarve, duke kërkuar kështu ndihmën e qytetarëve në gjetjen e tyre, ndërkaq nuk është treguar identiteti i të dyshuarve.


  • foto galeri
  • foto galeri

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) është duke hetuar rastin e vrasjes z. Oliver Ivanoviç. Me autorizim të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës publikon fotografitë e dy personave të dyshuar për rastin ‘vrasje’ të datës 16/01/2018 në Mitrovicën Veriut. Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për personat e dyshuar në fotot e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës përmes numrit konfidencial të telefonit 080019999, adresën elektronike info@kosovopolice.com ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor. Publikimi i këtyre fotografive bëhet me qëllim të identifikimit nga ana e qytetarëve, të cilët mund të na ndihmojnë rreth identitetit të këtyre personave të dyshuar”, thekson policia përmes komunikatës.


Personat në fjalë thuhet se janë parë në rrugën “Lola Ribar” në Mitrovicën veriore. Oliver Ivanoviç, ish-ministër dhe ish-deputet në Kuvendin e Kosovës, kreu i SDP-në, u vra më 16 janar të vitit 2018.
(BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb